Reagime për vrasjen e shqiptarëve në Maqedoni, sot protestë
Ambasadori amerikan në Shkup, Poll Uohlers, ka reaguar për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë në Maqedoni, duke kërkuar hetim për këtë çështje, por edhe duke apeluar për përmbajtje nga dhuna ndëretnike. Besoj se sundimi i ligjit duhet të dominojë, me një proces normal hetimor. Mendoj se të gjithë duhet të presin që kjo të ndërmerret me qetësi dhe të pritet që procesi ligjor të kryhet, sepse kështu funksionon sundimi i ligjit dhe demokracia, ndaj nevojitet që ti ndjekim këto rregulla, tha ambasadori i SHBA-ve në Shkup. Partia shqiptare opozitare, RDK, ka vlerësuar se kjo ngjarje vret bashkëjetesën në Maqedoni. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e zëdhënësit të Policisë, Ivo Kotevski, për shkak të versionit të tij joreal të përshkrimit të ngjarjes. Deklaratat e zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevski, ishin skajshmërisht tendencioze, jashtë gjithë normave morale dhe etike, ku u arsyetua ekzekutori, duke shfrytëzuar fjalën vetëmbrojtje, tha deputeti Izet Zeqiri, nga radhët e RDK-së. Ndërsa ministri shqiptar i Drejtësisë nga radhët e BDI-së, Blerim Bexheti, evitoi të komentojë mbi Kotevskin, duke u shprehur se nuk e ka dëgjuar deklaratën e tij. Dy të rinj shqiptarë, 26 dhe 29 vjeç, u ekzekutuan nga polici maqedonas Jakim Trifunovski, 39 vjeç, pas një debati mbi parkimin. Sot pritet protesta e mijëra qytetarëve.