E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbimi i Romëve, OSBE tek Avokati i Popullit, apel shtetit: Gjeni urgjent zgjidhje!

TIRANË-Çështja e dëbimit të komunitetit rom nga zonat ku ata banojnë me çadra ka tërhequr masivisht vëmendjen e ndërkombëtarëve.

Avokati i Popullit, është takuar sot me kryetarin në detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton dhe me përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Tiranë për të diskutuar mbi çështjen e komunitetit rom.

Në një konferencë të përbashkët, Avokati i Popullit Igli Totozani u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që t`i japin zgjidhje kësaj problematike që sipas tij është mjaft e mprehtë.

Totozani tha se janë disa kërkesa që institucioni i AP i ka drejtuar shtetit shqiptar.

Në emër të AP doja t'i bëja me dije popullit shqiptar për disa kërkesa që AP u ka drejtuar dikastereve përkatëse.
-Policia e shtetit të ndërhyjë dhe të shmangë këtë situatë paligjshmëria që po vijon në në terren mbi romët.
-Zgjidhja e problemit të realizohet nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor ku palë të jenë dhe romët
-Institucione ligjore të jenë garante për zhvillimin e një procesi të rregullt
-Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të punojë në mënyrë urgjente për të trajtuar çështjn për strehimin e familjeve rome

Nga ana e tij ambasadori Wilton theksoi se OSBE-ja është mjaft e shqetësuar për situatën e krijuar me komunitetin rom në Tiranë. Ai kërkoi që institucionet shtetërore të marrin parasysh kërkesat e AP në drejtim të romëve.

“Shteti i OSBE ka synim të veçantë për zbatimin e të drejtave të njeriut. Erdha këtu që t’i shpreh shqetësimin në emër të OSBE, Avokatit të Popullit, shpreh mbështetje për shqetësimin e tij mbi çështjen e romëve. Shpresoj që AP të marrë përgjigjet që kërkon mbi pyetjet që u ngre këtyre institucioneve. Institucionet përgjegjëse duhet të pranojnë situatën e romëve dhe të gjejnë zgjidhje. Kjo do t’i japë zgjidhje pyetjes nëse për këtë situatë sundon ligji apo betoni”. 

Përfaqësuesi i KE në këtë takim theksoi se çështja e romëve në Shqipëri është tepër delikate dhe se ambasadori Ettore Sequi po e ndjek me vëmendje dhe jashtë vendit.

“E mirëpresim këtë takim që prek një çështje delikate të 37 familjeve rome që rrezikohen të dëbohen me forcë. Sequi po e ndjek nga jashtë këtë çështje dhe ka pasur dhe një telefonatë nga Totozani për këtë rast, tha ai ndërsa theksoi se së fundmi BE ka investuar 3 milionë euro për ngritjen e tre qendrave në Berat, Vlorë dhe Korçë.

Këto synojnë t’i japin akses romëve në arsim, shëndetësi dhe punësim.
“Por ky është një proces që kërkon kohë”, theksoi ai.

Ditën e djeshme në një reagim të saj, Organizata e të Drejtave të Njeriut “Amnesty International” kërkoi marrjen e masave urgjente për 37 familjet rome që rrezikojnë të dëbohen nga banesat e tyre në "Rrugën e Kavajës", në Tiranë.

“Amnesty International” shkruan në apelin e saj, se pronari i tokës nuk ka respektuar procedurat e përcaktuara në ligj dhe se autoritetet nuk kanë marrë masa për t’u garantuar familjeve rome një strehim alternativ.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›