Dëbimi i romëve në Francë, reagojnë OJF dhe BE
Presidenti i ri francez Fransua Holande përvecse solli debate me taksën për të pasurit, tani një tjetër debat është hapur në Francë, atë për dëbimin e romëve. Ashtu si edhe në 2010, Bashkimi Evropian ka theksuar se po vezhgon të gjitha lëvizjet e Parisit, për të garantuar zbatimin e rregullave të unionit.
Ditët e fundit, autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e disa kampingjeve në qytete të ndryshme si Paris, Lille e Lyon, duke ngjallur reagime e shqetësim për organizatat jo qeveritare, të cilat i kanë kujtuar presidentit François Hollande premtimet zgjedhore për strehim alternativ për çdo kamp romësh të shkatërruar.
Në Francë ka rreth 20 mijë romë, të cilët kanë mbërritur kryesisht nga Bullgaria dhe Rumania, vende anëtare në BE-së, por jashtë Shengenit.
Brukseli bën thirrje për sqarime të mëtejshme, ndërsa mediat europiane akuzojnë Hollande se ka reaguar me të njëjtin grusht të hekurt si Sarkozy, në kohën kur në prag votimesh tentonte të joshte elektoratin e ekstremit të djathtë për t`u rikonfirmuar në Elize.