VV apel LDK-AAK: Bashkë të rrëzojmë Qeverinë
Lëvizja Vetëvendosje është duke pritur përgjigje nga dy liderët e partive të tjera opozitare, LDK-së e AAK-së, për një takim ku do të koordinoheshin veprimet për të kundërshtuar dialogun politik të paralajmëruar me Serbinë, si dhe privatizimin e disa ndërmarrjeve publike. Koordinimi i veprimeve do të nënkuptonte aktivitete për ta rrëzuar Qeverinë.
Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të “Vetëvendosjes!”, në një intervistë për mediat kosovare the se pret nje reflektim të këtyre partive.
Ftesa nënkupton koordinim veprimesh brenda institucionit të Kuvendit, si bojkoti, apo edhe ngritja e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.
Ndërsa iu ka bërë thirrje deputetëve të LDK-së dhe AAK-së, por edhe disa deputetëve të subjekteve politike në pushtet që kundërshtojnë disa politika të Qeverisë, Ymeri ka thënë të jetë shumë e dëmshme që në njërën anë ta pranojnë publikisht që qeveria po e dëmton Kosovën, ndërkohë që vota do të jetë në kundërshtim me rrëzimin e asaj qeverie.
Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka folur edhe për ndryshimet kushtetuese. Ai ka paralajmëruar mungesën e votës për amendamentet që ndërlidhen me zgjedhjen e Presidentit dhe me kompetencat e tij, e po ashtu edhe kundër disa amendamenteve që i referohen fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare.
Deputetët e këtij subjekti opozitar do të votojnë kundër edhe vazhdimit të mandatit të EULEX-it në Kosovë.