E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debitorët e ujit, 160 emra në prokurorinë e Vlorës

Vlorë- Pasi nuk ka gjetur dot zgjidhje tjetër për të mbledhur borxhet e konsumatorëve, ndërmarrja e Ujësjellësit në Vlorë ka dorëzuar në Prokurori listën me emrat e debitorëve. Sipas Rajmonda Dukës, kryetare e degës së shitjes në këtë ndërmarrje, në listën e debitorëve ka edhe emra të njohur të qytetit, si mjekë, avokatë, profesorë etj.

“Për debitorët shumëvjeçarë të ujit të pijshëm janë bërë gati listat dhe janë dërguar në prokurori. Pas një liste të bërë ditë më parë me 80 emra, tani është dërguar edhe një tjetër liste me të njëjtën shifër. Për këta persona ne kërkojmë procedim penal, pasi janë debitorë”- thotë ajo, duke shtuar se edhe pas paralajmërimeve të shumta nuk ka qenë e mundur të gjendet një zgjidhje për këtë problem.

Ndërkaq, vetë ndërmarrja po vuan së tepërmi nivelin shumë të ulët të arkëtimeve, në masën 54% në nivel popullate. Nisur nga një situatë e tillë, sot është njoftuar se nuk do të ketë vetëm ndërprerje individuale të ujit të pijshëm, por është hartuar plani i ndërprerjeve kolektive me blloqe pallatesh.

Nga statistikat e nxjerra në vite, ndërmarrja numëron borxhlinj të shumtë, që nga viti 1997, ndërkohë që sipas drejtuesve shuma mujore që duhet të paguajnë familjet është minimale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›