E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza e kryeministrit: Kam qenë avokate e Fazllic, por kam vepruar sipas ligjit

Tiranë- Vajza e kryeministrit, Argita Malltezi ka pranuar se ka punuar për Damir Fazllic, por ka sqaruar se çdo detaj i aktivitetit të saj profesional është tërësisht konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.

“Për shkak të pozicionit tim dhe të familjes sime, në asnjë rast nuk kam përfaqësuar dhe nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet (pra fonde) publike apo mbi asete shtetërore. Në këtë kontekst, shërbimet e kryera nga studioja ime për Z.Fazlliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik”- ka thënë ajo.

Në emailin e saj drejtuar mediave, ajo ka sqaruar se nuk ka qenë anëtare e asnjë bordi, komisioni, apo grupi te çfarëdolloji që është marrë me procesin ligjor, apo çdolloj procesi të ngjashëm që lidhet me parkun energjitik të Porto Romanos. “Në dijeninë time ky fakt vlen dhe për avokaten Flutura Kola. Sfidoj mashtruesit të cilët pretenduan se disponojnë prova për pjesëmarrjen time në këtë proces që t’i bëjnë ato publike”- thotë ajo.

Ajo e ka cilësuar çështjen në fjalë vetëm një tymnajë, që ka për bazë të vetme mashtrimin, nxitur për interesa të pandershme politike dhe ekonomike. “Shpreh bindjen se shumë shpejt të gjitha këto interesa do të zbardhen për publikun duke lënë lakuriq në imoralitetin e tyre fabrikuesit e shpifjeve”- ka shtuar më tej Malltezi.

Deklarata e Argita Malltezit, vjen një ditë pas debatit të madh të krijuar për përplasjen mes qeverisë dhe prokurorisë për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›