E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbohet Gjilani

Gjilani ia ka parë sherrin dhunës së krijuar në ndeshjen e së dielës ndaj Hysit. Federata e Futbollit e ka dënuar ekipin kuqebardh me pesë ndeshje jashtë stadiumit të vet dhe të gjitha ato duhet t’i zhvillojë pa praninë e publikut. Ndërkohë, trajneri i kësaj skuadre, Sallah Sherifi është pezulluar bashkë me tre lojtarë të tij. Pas këtij vendimi, gjilanasit kanë kërcënuar me tërheqje nga garat.

Në këtë kampionat, Gjilani nuk do të luajë më para tifozëve të vet.

Madje, edhe ndeshjen e parë të edicionit të ardhshëm skuadra kuqebardh do ta zhvillojë jashtë qytetit të Gjilanit.

Në fakt, pasi inicimit të procedurës disiplinore nga Komisioni i Garave, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të martën e ka dënuar këtë skuadër me pesë ndeshje jashtë qytetit të saj, dhe që të pesta ato takime do t’i zhvillojë pa praninë e shikuesve.

Kjo pasi për organet e shtëpisë së futbollit kosovar, Gjilani kishte bërë lëshime të mëdha në organizimin e ndeshjes të së dielës ndaj Hysit, në të cilin takim është shfaqur dhuna nga ana e tifozëve dhe lojtarëve vendas, të cilët kishin sulmuar fizikisht gjyqtarin, respektivisht portierin e ekipit mysafir.

Lajmin e ka konfirmuar për Express zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha. Sipas rregullores, pesë ndeshjet e radhës në cilësinë e vendasit Gjilani duhet t’i zhvillojë rreth 30 kilometra larg folesë së vet. Madje, ky klub është obliguar që stadiumi i përkohshëm i saj t’i plotësojë të gjitha kriteret për zhvillimin e ndeshjeve të ardhshme kampionale.

Por, këto dënime të shqiptuara nga Federata e Futbollit e Kosovës e kanë tronditur këtë klub, i cili të mërkurën do ta shqyrtojë shumë seriozisht tërheqjen e tërësishme nga garat.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kemi merituar dënim, por jo kaq rigoroz. Gjithë mllefin e fituar nga gjitha terrenet e tjera, Federata e zbrazi në Gjilan”, ka deklaruar për Express, nënkryetari i këtij klubi, Bekim Rexhepi.

“Të martën do të mblidhet Kryesia, dhe nëse gjithë anëtarët e konsiderojnë të rëndë këtë dënim, atëherë do ta shqyrtojmë mundësinë të tërhiqemi nga garat”, theksoi ai.

Njëherësh, Komisioni Disiplinor i FFK-së i ka pezulluar tre lojtarët e Gjilanit:Vllaznim Jashari, Florim Murseli e Lirion Ferati, të cilët e kishin shqelmuar portierin e Hysit, Afrim Ademin, me ç’rast ai është dashur të dërgohet në spital për të marrë tretman mjekësor.

Ndërkohë, është pezulluar edhe trajneri Sallah Sherifi, për shkak se kishte kundërshtuar vendimet e gjyqtarëve, duke e irrituar publikun. Që të katër këtyre u janë kërkuar deklarata, para se të ndëshkoheshin.

Dënimi ndaj Gjilanit vjen në kohën kur kjo skuadër bënte përpjekje të mëdha për të mbijetuar në Superligë.

Mt: Pezullohen rezultatet e ndeshjeve Gjilani – Hysi dhe Trepça – Vëllaznimi

Komisioni i Garave i FFK-së nuk e ka regjistruar fare rezultatin e arritur në fushë (1:1) të ndeshjes shumë të tensionuar mes Gjilanit e Hysit, pasi ekipi llapjan ka kërkuar që ai takim të regjistrohet me rezultat zyrtar, 0:3 në favor të tij.

Njëherësh, ky organ nuk e ka regjistruar as rezultatin (0:0) të ndeshjes Trepça – Vëllaznimi, pasi edhe gjakovarët kanë kërkuar fitore në tavolinë, me arsyetimin se vendasit e kishin inkuadruar në lojë një lojtar, emri i të cilit nuk ka figuruar në protokollin zyrtar të ndeshjes. Për epilogun e këtyre dy dueleve, Komisioni i Garave pritet të vendosë të premten.

Dënohet edhe Drita

Derbi më i madhi në Kosovë, ai i Anamoravës mes Dritës e Gjilanit, në fundjavën e ardhshme do të zhvillohet pa praninë e publikut, pasi Komisioni Disiplinor i FFK-së e ka dënuar edhe Dritën me dy ndeshje pa shikues, për faktin se nuk e kishte zhvilluar siç duhet takimin e javës së 23-të ndaj Lepencit, kur kishte tensione. Kurse, për shkak të atyre tensioneve, kaçanikasit janë ndëshkuar me një vërejtje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›