E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho nuk dorëzohet

Jose Mourinho nuk dëshiron ta dramatizojë punën, pas humbjes 2:1 nga Bayern Munichu, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Trajneri portugez është i bindur se Real Madridi mund ta rikthejë rezultatin, në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet në Santiago Bernabeu.

“Futbolli është futboll, kush shënon fiton. Nuk mendoj se do të jetë një rezultat i keq. Ne do të shkojmë në finale me një fitore normale në ndeshjen e kthimit, jam optimist. Nuk dua të merrem me gjyqtarin, edhe pse goli i parë ishte për t’u anuluar. Mund të kalojmë në finale pa menduar për ndonjë përmbysje historike, me një fitore 1:0 ose 2:0”, theksoi pas ndeshjes ‘Special One’.

Ish trajneri i Portos, Chelseas e Interit e ka ‘pickuar’ trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, para super sfidës që zhvillohet të shtunën, në ‘El Clasico’. “Guardiolës nuk kam asgjë për t’i thënë. Ai e di mirë se si i ka fituar disa ndeshje në Champions. Është një djalosh inteligjent”, vazhdoi Mourinho.

Ai foli edhe për duelin e së shtunës ndaj Barçës, i cili do të vendos shumëçka rreth pjesës së fundit të kampionatit.

“Statusi i formës së lojtarëve të mi është ai të cilin e kanë parë të gjithë. Por, është normale që ndonjëri prej lojtarëve, në këtë periudhë të sezonit, në prill, nuk është në maksimum. Mirëpo, mundësitë tona janë këto, mendoj se janë normale për këtë moment të sezonit”, përfundoi Mourinho.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›