E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK kërkon ndihmë nga policia

Pas dhunës së shfaqur në javën e kaluar në futbollin kosovar, numri një i Federatës së Futbollit (FFK), Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, të mërkurën kanë takuar zëvendës drejtorin e Policisë së Kosovës Shefshqet Beçajn me bashkëpunëtorë.

FFK nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se në këtë takim kreu i shtëpisë së futbollit në vend i ka kërkuar Beçajt ndihmë dhe më shumë angazhim të policisë së Kosovës nëpër ndeshjet e futbollit në parandalimin e dhunës, e cila u shfaq gjatë fundjavës që shkoi.

Ndërkaq sipas këtij njoftimi numri dy i Policisë së Kosovës u ka premtuar udhëheqësve të futbollit një angazhim dhe më të madhe se deri me tash të policisë së Kosovës.

“Është arritur një marrëveshje që të hartohet një strategji bashkëveprimi, ndërmjet FFK-së, policisë së Kosovës, prokurorisë dhe gjykatave, në mënyrë që ata që shkaktojnë dhunë dhe incidente nëpër fushat e futbollit, të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në këtë njoftim.

Kreu i FFK-së me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive që e dëmtojnë futbollin e Kosovës, gjatë ditëve në vijim do të takojë, përfaqësues të klubeve, gjyqtarë, vëzhgues e kontrollorë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›