Dëbora, vijojnë problemet në disa qarqe të vendit

Ndonëse janë ndërprerë reshjet e dëborës, problemet në shumë fshatra dhe rrugë nacionale vijojnë të jenë ende prezente. Probleme vazhdojnë në veri, verilindje të vendit dhe në juglindje. Kështu, temperaturat e ulta dhe dëbora ka krijuar sërish probleme në qarkun e Korçës.
Sipas informacioneve në aksin Boboshticë-Dardhë qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë ndërsa trashësia e dëborës në këtë aks ka arritur në 50 cm. Probleme në qarkullimin e automjeteve ka pasur edhe në aksin rrugor Voskopojë-Lekas ku kalimi bëhet vetëm me anë të zinxhirëve. Ndërkohë prej 24 orësh është bllokuar rruga drejt komunës Novoselë në rrethin e Kolonjës.
Në Dibër vazhdojnë të jenë të bllokuara prej disa javësh komunat Zalldardhë, fshatrat e komunës Zallrec, ndërsa probleme vazhdojnë të kenë disa shkolla, si pasojë e mungesës së lëndës drusore. Ngricat dhe akulli janë kthyer në problemin më shqetësues në rrugët kryesore të Dibrës, por po punohet për hapjen e tyre.
Në rrethin e Bulqizës, disa fshatra të komunës Zerqan, si Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël janë ende të izoluara, pasi trashësia e dëborës arrin deri në 2.5 metra. Në këtë zonë po punohet për hapjen e rrugëve, drejt këtyre dy fshatrave që janë të izoluar që prej 5 janarit të këtij vitit. Temperaturat natën e mbrëmshme kanë zbritur në -15 gradë celcius, duke krijuar shtresa akulli dhe ngicash në rrugët nacionale dhe ato rurale.
Janë të izoluara fshatra e komunës Trebisht, që sipas kreut të komunës është hapur vetem rruga drejt qendrës së qytetit, ndërsa fshatrat vijojnë të mbeten të bllokuar nga bora. Kjo situatë vijon edhe në komunën e Martaneshit, pasi shumë banorë kanë shkëputur komunikimin. Nga Peshkopia deri në qafën Buallit ka probleme, dhe në disa segmente kalohet me zinxhirë nga grica dhe akulli.
Edhe në Tropojë situata paraqitet më ndryshe pasi temperaturat janë ngritur në krahasim me një ditë më parë. Të bllokuara vazhdojnë të jenë Lugina e Valbonës, Dragobia, Ragam i Shalës, një pjesë e madhe e fshatrave të komunës Lekbibaj, disa fshatra të komunës Tropojë, si dhe fshatra të komunës Fierzë, por po punohet për hapjen e tyre. Sot ka nisur sërish shpërndarja e ndihmave nga ministria e mbrojtjes përmes forcave të ushtrisë. Në Kukës vazhdojnë të kenë probleme fshatrat e komunave Arrën, Shishtavec, Topojan etj.