E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëborë dhe izolim!

Qeveria po vazhdon ndërhyrjen nga ajri me anë të helikopterëve, por në disa zona ka pasur vështirësi në uljen e tyre dhe në shpërndarjen e ndihmave.

Gjatë ditës së sotme, nuk ka pasur urgjenca të rënda mjekësore, ndërsa në disa raste, helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, i kanë transportuar të sëmurët në drejtim të Tiranës. Krahas rrugëve ajrore, më e vështirë është ndërhyrja në rrugë tokësore. Mbrëmë dhe në mëngjesin e sotëm u duk sikur reshjet pushuan, por gjata paradites, dëbora rinisi sërish të bie, duke u vendosur mbi shtresën e vjetër. Në akset rurale qarkullimi është ende i pamundur, ndërsa në ato nacionale qarkullohet me zinxhir.

Zona e Dukagjinit në Shkodër, vuan edhe mungesën e gjatë të energjisë elektrike, ndërsa edhe komunikimi me telefon është thuajse i pamundur. Në Kukës, forcat e ushtrisë, krahas shpërndarjes së ndihmave, po punojnë edhe për hapjen e rrugëve. Sipas Komitetit te Emergjencës, autokolona e Forcave të Armatosura është dislokuar në Kukës me 25 mjete për të realizuar operacionet e përcaktuara nga Shtabi i Emergjencës dhe Komiteti Ndërministror.

Deri më tani, ndihmat, ku përveç ushqimeve përfshihen edhe medikamentet mjekësore janë shpërndarë për rreth 38 mijë persona, ndërkohë që numri i banorëve të izoluar është rreth 200 mijë. Megjithëse ndihmat nuk mungojnë, në shumë raste ka mos koordinim midis pushtetit vendor dhe dërguesve të ndihmave, ku pilotët detyrohen të presin për të dorëzuar pakot. Gjatë ditës së sotme është hapur aksi Pukë-Fushë Arrëz dhe po punohet për hapjen e akseve të tjera. Tetë fadroma shkuan në aksin e sipërpërmendur për të kryer ndërhyrjen.

Kukësi e rrethinat në terr

Kukësi dhe fshatrat e tij janë në terr, për shkak të një defekti në linjën 110 KV në Fushë Arrëz-Kalimash. Shkak janë bërë kushtet e këqija atmosferike që kanë dëmtuar rrjetin e transmetimin të energjisë elektrike. Aktualisht pa drita është qyteti i Kukësit, Krumës si dhe zona e Kalimashit. Mungesa totale e energjisë në këto zona vjen në një kohë, që dhjetëra fshatra janë të izoluar. Për kompaninë CEZ Shpërndarje, ndërhyrjet për të riparuar defektet janë të vështira për shkak të pranisë të madhe të dëborës. Në disa komuna të thella, si në atë të Valbonës në Tropojë, energjia mungon prej ditësh.

Martanesh, shembet një ndërtesë

Gjatë ditës së sotme, çatia e një ndërtese në Martanesh u shemb për shkak të borës së madhe. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por ndërtesën trekatëshe banonin katër familje, të cilat kanë mbetur pa strehë. Ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me strehimin e tyre në këto momente, ku temperaturat janë tejet të ulëta. /Start/

                                                                                             2012-02-15 16:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›