E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debutimi i Kinës dhe festa e Indisë

Mund ta datojmë me saktësi debutimin e Kinës si një fuqi e madhe. Ishte mbrëmja e 8 gushtit 2008, ceremonia e hapjes së Olimpiadës së Pekinit. Kjo ngjarje në mënyrë të përkryer simbolizoi ngritjen e Kinës, një festë spektakolare dhe e shtrenjtë e organizimit masiv, i drejtuar nga qeveria shumë kompetente e këtij shteti. Ne mund të shikojmë pas disa viteve dhe të datojmë ditën e ngritjes së Indisë më 18 maj, 2009, dita kur u lajmëruan rezultatet e zgjedhjeve të saj të fundit. Kjo datë është gjithashtu një simbol që përputhet, në këtë rast, i fuqive unike të Indisë, të cilat nuk definohen nga fuqia e shtetit, por nga fuqia e popullit, me tërë rrëmujën dhe kaosin që vjen me të.

Me 420 milionë njerëz që votuan, zgjedhjet e fundit ishin ushtrimi më i madh i demokracisë në histori. Por, rëndësia globale e zgjedhjeve dhe arsyeja që mund të sjellë një epokë të re për Indinë në skenën botërore, nuk ishte vetëm fakti i vetë zgjedhjeve, por rezultatet. Gjatë dy dekadave të fundit, India është përpirë nga ndarjet e saj të brendshme: të kastës, etnicitetit dhe religjionit. Kjo ia ka bërë të vështirë qeverisë në New Delhi që të mobilizojë fuqi kombëtare për çfarëdo caku të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një popullatë e decentralizuar dhe e ndarë e ka zvogëluar peshën e këtij shteti ndërkombëtarisht. Kjo është gjë e keqe për Indinë dhe gjë e keqe për botën. E tërë kjo mund të ndryshojë tani. Për herë të parë në tri dekada, një partie të vetme, Kongresit Nacional Indian, iu dha mandat i qartë dhe i gjerë. Elektorati i Indisë është njëri nga më të varfrit dhe më së paku i edukuar, mirëpo votoi me një inteligjencë të paparë.

Partia udhëheqëse, Congress u shpërblye për rritjen ekonomike. Përkundër shpresave të shumë njerëzve majtistë të Indisë, njerëzit e përkrahin lëvizjen drejt një ekonomie më të hapur (e me këtë edhe më produktive). Kjo gjë mund të shihet në faktin se Kongresi nuk fitoi gjithkund. Qeveritë rajonale të cilat gjithashtu përkrahën zhvillimin (në Orisa dhe Bihar), u shpërblyen njëlloj. Partitë që çaluan keq, ishin ato të cilat e bazuan apelimin e tyre në frikë, urrejtje dhe politika identiteti, si Partia nacionaliste hindu, Bharatiya Janata, si dhe grupet më të vogla të bazuara në kastë. Gjatë viteve të kaluara, dukej se demokracia përreth botës ka rënë pre e dy të këqijave. E para, popullizmi dukej se përdorte reforma ekonomike. E dyta, në epokën e terrorizmit, frika u bë një mënyrë e lehtë për të mobilizuar përkrahje politike (këto probleme kanë prekur demokraci edhe në shtete të pasura si Amerika, njëlloj si në ato më të varfra). Rezultatet e zgjedhjeve indiane i kundërshtojnë që të dyja nocionet.

Partia Congress ka qenë për reforma ekonomike si dhe tejet e përgjegjshme për çështjet si terrorizmi dhe toleranca. Kjo parti zgjodhi përmbajtjen pas sulmeve të fundit terroriste në Mumbai dhe u quajt si e dobët nga ana e opozitës. Por votuesit nuk e blenë këtë gjë. Kjo fitore është mandat jo vetëm për partinë Congress, por përbrenda saj për treshen e jashtëzakonshme të përbërë nga Kryeministri Manmohan Singh, udhëheqësja e partisë Sonia Ghandi, dhe biri i saj, Rahul Ghandi, 38-vjeçar. Ky i fundit i ka kaluar vitet e fundit duke bërë atë që dukej e pamundur, ringjalljen e rrënjëve të Partisë Congress, e cila gjatë viteve të fundit u bë më pak në një organizatë politike e më shumë një oborr i korruptuar. Ai bëri një varg bastesh strategjike gjatë kampanjës, në mënyrë që t‘i afirmojë kandidatët e rinj, e jo të bëjë aleancë me parti që bazohen në kastë. Secila nga këto lëvizje, u shpagua. Mediat, posaçërisht në Indi, kanë pasur prirje të jenë skeptike ndaj aftësive politike të Sonia dhe Rahul Ghandit.

Mirëpo këta dy kanë kryesuar dy fitore elektorale brenda gjashtë viteve, janë duke e ringjallur një parti sklerotike dhe kanë bërë tërë këtë gjersa e kanë ruajtur përkushtimin principiel ndaj sekularizmit, reformave ekonomike dhe qeverisjes së mirë. (Singh është njeriu më i ndershëm në politikën indiane në së paku tri dekada.) As nëna, e as i biri nuk kanë marrë ende ndonjë post në qeveri, dhe gjersa kjo mund të përshkruhet si llogaritje e mençur apo pritje e kohës së tyre, sa njerëz, kur ju ofrohet Kryeministria e shtetit të dytë më të madh në botë, do të tregonin disiplinë dhe përmbajtje të tillë? Sfida e madhe e botës të shekullit XXI është të gjendet një mënyrë për të futur Indinë, Kinën dhe Brazilin brenda sistemit ndërkombëtar. Kjo detyrë shpesh shihet si e Perëndimit. Por njëlloj rëndësishëm, fuqitë në ngritje e sipër duhet t‘i marrin rolet e tyre ndërkombëtare dhe të veprojnë me përgjegjësi në skenën botërore. Kjo do të thotë të marrësh një perspektivë globale, e jo të ngushtë nacionale, mbi çështjet si terrorizmi, energjia, mjedisi, tregtia, sëmundjet dhe ndalja e përhapjes së armëve nukleare. Këto zgjedhje e kanë fuqizuar një qeveri indiane, e cila, kur krahasohet me të gjitha alternativat, ka më së shumti gjasa që të adoptojë një qasje të përgjegjshme ndaj rolit të saj në botë. Edhe nën shtrëngesa të mëdha politike, Kryeministri Singh e riorientoi politikën e jashtme të këtij shteti.

Me një mandat nacional, ai mund të veprojë në mënyrë më të gjerë dhe më të guximshme në të gjitha frontet. "India është një term gjeografik. Nuk është komb më i bashkuar sesa ekuatori," tha Winston Churchili. Churchili kishte një prapavijë për të të ardhur keq kur është në pyetje India. Si Kryeministër, ai përjashtoi dhënien e lirisë për këtë koloni, duke thënë. "Nuk jam bërë ministri i parë i mbretit në mënyrë që të kryesoj likuidimin e Perandorisë Britanike". Pas pesë viteve, India u bë e pavarur. Tani, pas më shumë se 60 vjet prej asaj dite, India edhe një herë e ka vënë në maje të gishtit Sir Winston Churchillin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›