E Diel, 1 Nëntor 2026

"Otello..." për të dytën herë në Vlorë

Pas prezantimit në Tiranë, Ben Blushi e zbret "Otellon" e tij edhe në Vlorë. Politikani dhe shkrimtari do të promovojë nesër, në orën 19:00, në teatrin "Petro Marko", librin e dytë. "Otello, Arapi i Vlorës" është një roman mbi dashurinë, xhelozinë, historinë. Një rrëfim mbi një sfond historik, me personazhe reale shqiptare dhe ato të huazuara nga Shekspiri. Ngjarjet shtrihen në vitet 1300-1400 dhe zhvillohen në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe në Vlorë, marrëdhëniet politike e tregtare midis të cilave ishin mjaft intensive për kohën. Sfondi historik është real: Vlora e viteve para pushtimit turk dhe përpjekjet e kryezotit të saj, Balshës II, për të zgjeruar zotërimet e tij dhe për të përballuar vërshimin e turqve në Jug të vendit, vrasja e tij në fushën e betejës dhe drejtimi i principatës nga e shoqja, Komita Muzaka, aleanca me serbët nëpërmjet martesës së vajzës së saj Rugina me princin serb Mrkzha Zharkoviç, të cilin vlonjatët e pagëzuan Kasi, qëndrimi indiferent i Venedikut, si dhe i të gjitha principatave të tjera italike, duke e lënë të vetme Vlorën, si dhe gjithë Shqipërinë në përballjen me pushtuesit e rinj që vinin nga Azia e largët. Familja Contarini nga Venecia, pasardhës të Marko Polos nga babai dhe vlonjatë nga e ëma, plotësojnë kuadrin historik në anën tjetër të detit Adriatik, duke na nxitur imagjinatën për tablonë e jetës reale të kësaj zone mesdhetare para më shumë se gjashtëqind vjetësh, temë kjo mjaft e preferuar për autorin e librit. Romani i dytë i Ben Blushit është mbi të gjitha një roman mbi dashurinë. Dhe atje ku ka Otello, Desdemonë e Jago nuk mund të mungojnë xhelozitë, tradhtitë, intrigat, ligësitë, vuajtjet e vrasjet në një shoqëri të zhytur në vese e interesa të paskrupullta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›