Kompozitori Flamur Shehu bëhet "Mjeshtër i Madh"
Kompozitori i njohur, Flamur Shehu, është nderuar nga Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, me urdhrin "Mjeshtër i Madh" me motivacionin: "Për kontribut të shquar në fushën e muzikës e të këngës së lehtë shqiptare; në studimin e promovimin e folklorit si dhe në organizimin e drejtimin e institucioneve kombëtare kulturore të vendit". Flamur Shehu ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet më në zë të këngës shqiptare, në "Festivalet e Këngës" dhe "Koncertet e Pranverës", si fitues i shumë çmimeve, për muzikën dhe ritmet kushtuar vendit të tij. Emri i tij është njehsuar me këngën e lehtë shqiptare, me zërat tanë më të mirë, që prezantuan kontributin e tij në lëmin e muzikës, në 500 këngë të krijuara në 40 vite karrierë. Pak kohë më parë, ai publikoi edhe albumin muzikor "Një jetë nga jeta ime", një përmbledhje me këngët më të mira. Gjatë karrierës artistike, z. Shehu është vlerësuar me 40 çmime.