E Shtunë, 31 Tetor 2026

Decentralizimi do t’i shuajë strukturat paralele

Por, plani aktual për decentralizimin përballet me pakënaqësinë e shqiptarëve dhe kundërshtimin e serbëve.

Decentralizimi është pjesë e planit të Martti Ahtisaarit dhe ai parasheh pos tjerash krijimin e pesë komunave të reja me shumicë serbe dhe zgjerimin e një komune ekzistuese.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se që në fillim të punës, decentralizimi nuk ishte shumë i popullarizuar dhe ishte i kritikuar nga shumë anë.

"Një pjesë e qytetarëve shqiptarë e kanë kritiku me dilemën se nëse ne tani kemi komuna me shumicë të komunitetit serb që nuk funksionojnë sipas sistemit unik, nëse ne i risim ato komuna do të fitojmë probleme apo do të tejkalojmë probleme, nga ana tjetër kemi pas hezitimin po ashtu të një pjese të qytetarëve të komunitetit serb dhe liderëve lokalë që në rast se ata marrin pjesë në proces dhe normalizohet jeta marrin të gjitha të drejtat , faktorizohen në nivelin lokal konform ligjeve atëherë shoqëria kosovare do të duket si shoqëri normale, do ti shkojë për shtati fuqizimit të shtetit pra janë bazuar në motive politike të së kaluarës", thotë zoti Ferati.

Kjo thotë ministri Ferati ka bërë që gjendja të jetë mjaft e pafavorshme dhe ky proces vazhdon të jetë një sfidë e veçantë, posaçërisht në veriun e vendit, skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

"Sfida kryesore akoma është sjellja e Beogradit disa qarqeve ekstreme politike sidomos në veriun e Kosovës të cilët vazhdimisht e rezistojnë dhe bëjnë gjithçka që të bojkotohet ky proces", thotë ministri Ferati

Zoti Ferati ka tërhequr vërejtjen se zgjedhjet lokale të caktuara për 15 nëntorin e këtij viti nuk duhet të lidhën domosdoshmërish me procesin e decentralizimit të pushtetit, një proces ky që parashihet të përmbyllet brenda tri vitesh. Ai është i bindur se edhe pjesëtarët e komunitetit serb do të pranojnë procesin e decentralizimit dhe të fillojnë të heqin dorë nga strukturat paralele në zonat e banuara prej tyre.

"Strukturat paralele kanë qenë një improvizimi i pushtetit, një improvizim i qeverisjes dhe ata vet nuk janë të kënaqur, tani kemi zëra nga Beogradi dhe vet liderët lokalë serb ata e dëshirojnë që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale por se pengesa është që ato implementohen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe konform ligjeve të Republikës së Kosovës dhe kanë dilema si të ndodh ajo, të marrin pjesë në zgjedhjet lokale por që ajo të mos duket që e pranojnë shtetin e Kosovës, shikojmë kemi edhe disa muaj deri në zgjedhjet lokale që të shohim se si po rrjedhin çështjet", thotë ministri Ferati.

start/voa

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›