E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS, nuk njoftohen zërat kundër Edi Ramës

Zërat që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryetarit të PS për shkak të humbjes së zgjedhjeve, janë “përjashtuar” nga pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, që pritet të zhvillohet ditën e martë. 

TIRANE- . Bëhet fjalë kryesisht për deputetët aktualë, të cilët edhe pse nuk u përfshinë në listat e kandidatëve të PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit, mandati i ligjvënësit iu përfundon me nisjen nga puna të Kuvendit të ri. Deputeti i PS-së, Elmaz Sherifi në një prononcim të djeshëm për mediat, bëri të ditur se ai personalisht nuk është njoftuar për këtë mbledhje. Sipas tij, këtë informacion ai e ka marrë nëpërmjet medias. Sherifi ka bërë fajtor sekretarin organizativ, Blendi Klosi për moslajmërimin e tij, duke theksuar se “ai s’ka bërë gjë tjetër veçse ka zbatuar urdhrat e ustait të tij”. Sherifi shtoi gjithashtu se, “në PS ka filluar një mentalitet anti-demokratik”, duke shtuar se “Rama do ta çojë deri në fund misionin e tij dhe ta çojë në spiralen e krizës PS-në”. Të tjerë deputetë që nuk janë njoftuar për mbledhjen e Asamblesë janë edhe Flamur Hoxha, Besnik Dervishi, Rrapush Tola si edhe Musa Ulqini, i cili njëherësh është edhe sekretari rajonal i Partisë Socialiste në Tiranë. Gjithashtu, në listën e “të përjashtuarve” figurojnë edhe dy anëtarët e kryesisë së PS-së, respektivisht sekretarja për burimet njerëzore në selinë rozë, Edlira Haxhiymerin si edhe ish-kryeredaktorja e “Zërit të Popullit”, Eva Allushi.

Në radhët e Partisë Socialiste mbizotëron një situatë e nderë në prag të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, që pritet të zhvillohet ditën e martë. Duke filluar nga zyrtarët më të lartë të sekretariatit, të kryesisë, grupit parlamentar deri edhe tek ish-deputetët, rezultojnë të ndarë qartësisht në dy qëndrime. Në njërën anë me kryetarin e PS-së, Edi Ramën përfaqësohet linja e ashpër përkundrejt qeverisë së re Berisha-Meta. Sipas kësaj rryme, vihet në dyshim njohja e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, përqafohet ideja e mos hyrjes në Parlament, mosnjohja e legjitimitetit të qeverisë së ardhshme dhe këmbëngulja në denoncimin e parregullsive të 28 qershorit. Nga ana tjetër është grupimi me dy zërat kryesorë, Ben Blushin dhe Arben Malajn që kërkojnë analizë të thellë dhe përgjegjësi për humbjen.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›