Dede: Dua ta mbyll me Tiranën
Jetmir Halilaj
Nevil Dede vazhdon të ndihet bardheblu dhe e thotë troç se do të donte ta mbyllte karrierën me 24 herë kampionët e Shqipërisë. Kontaktet konkrete kanë munguar këto kohë, pasi mbrojtësi është ende në fazë rikuperimi, por ai gjithnjë do ta mirëpriste një ofertë nga bardheblutë. Në një intervistë për "Panorama", Dede flet edhe mbi zërat që e shohin të veshur me fanellën e Dinamos sezonin e ardhshëm.
Duket sikur doni gjithnjë ta shmangni median, madje kohët e fundit keni qenë gjithnjë e më pak i ekspozuar në shtypin sportiv?
Kam qenë i dëmtuar. Kalova vërtetë një periudhë të vështirë, pasi dëmtimi ishte vërtetë i rëndë. Kam qenë edhe i mërzitur padyshim, ndërkohë që ish-skuadra ime, Elbasani zbriti nga Kategoria. Çfarë mund të thuash në nj situatë të tillë...
Për shembull, cila do të jetë skuadra juaj e ardhshme?
Nuk e di, sinqerisht nuk e di. Deri tani jam stërvitur individualisht për të kaluar dëmtimin dhe jam kënaqur me fraktin që jam drejt rikuperimit të plotë.
Tirana mbetet një alternativë për ju?
Padyshim që po. Shikoni, unë edhe pak vite karrierë kam dhe do të doja që ta mbylla te skuadra ku unë kam kontribuar më shumë, pra te Tirana. Nuk kam pasur ndonjë ofertë konkrete, por shpresoj që në të ardhmen të mund të bëhet diçka. Nëse do të realizohej kjo do të isha shumë i lumtur, por gjithsesi, do të marr në konsideratë edhe ofertat nga klube të tjera.
Është lakuar shpesh emri juaj te Dinamo. Sulaj dëshironte t'i bënte një dhuratë klubit për 90-vjetorin...
Eh, e di është folur shpesh, por sinqerisht këtë verë nuk kam pasur asnjë kontakt me drejtuesit e Dinamos. Jam ndjerë gjithnjë i nderuar në të kaluarën kur ata realisht kanë shfaqur interes për mua, por tani nuk ka asgjë. Për më tepër, kjo skuadër ka bërë blerje të mira në mbrojtje, ndaj mendoj se do të jetë e vështirë që të ketë bisedime konkrete.
Partizani dhe Elbasani, dy klube që kanë qenë protagonistë në merkaton shqiptare këtë vit janë praktikisht jashtë loje për të bërë goditje të mëdha. Sa ka ndikuar kjo te lojtarët?
Realisht nga ndikuar shumë, sepse është ulur konkurrenca mes skuadrave dhe kjo rëndon edhe mbi lojtarët, pasi ofertat nuk janë më si më parë. Duhet ta pohoj se ky është një hap mbrapa për futbollin shqiptar.
Ishit i pranishëm në asamblenë e klubit të Tiranës, keni ndonjë koment për zgjedhjet?
Kisha marrë ftesë si një ish-futbollist që ka kontribuar për këtë skuadër dhe u ndjeva i nderuar. Gjërat shkuan mirë, pavarësisht se me ndonjë problem të vogël. Mendoj se zgjedhja e Halilit ishte një vendim i drejtë dhe kam bindjen se Tirana nën drejtimin e tij do të vazhdojë të jetë një klub me potencial të madh.