"Dështon" ndërtimi i ambulancave, larg zonave të banuara dhe pa kushte
BURREL - Për ndërtimin e 20 ambulancave në rrethin e Matit në dy vitet e fundit janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 270 milionë lekë. U ndërtuan sipas një modeli të paracaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, pa marrë parasysh as largësinë e objektit nga rrugët nacionale e qendrat e banuara, as cilësinë e materialeve të ndërtimit, as ofertat e firmave të ndërtimit. Kjo bëri që ato fatkeqësisht të mos kryejnë funksionin për të cilin u ndërtuan. Ambulancat dhe qendrat shëndetësore kanë mbetur gërmadhë për disa arsye. Shteti i ndërtoi ato për t`iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, por strukturat e tij nuk ushtruan kontrolle ku shkojnë këto para. Lejen e ndërtimit e ka dhënë këshillit i qarkut. Kështu ka ndodhur me komunat e Matit. Ato nuk kanë pasur kompetenca për të dhënë leje ndërtimi për ngritjen e ambulancave të fshatrave. Në këto rrethana, aspak normale, firmat e ndërtimit kanë ndërtuar objektet në fjalë ku të mundnin, kryesisht buzë rrugëve, aty ku transporti i materialeve të ndërtimit ka qenë më me leverdi. Specialistë të këshillit të Qarkut Dibër justifikohen: "Në të shumtën e rasteve ka pasur konflikte për tokën ku duhej ndërtuar objekti, ndaj ato janë ndërtuar larg qendrave të banuara". Objektet nuk janë ndërtuar në qendër të fshatrave, por në toka djerrë, aty ku nuk ka pasur probleme pronësie ose aty ku infermierja apo mamia e fshatit ka "dhuruar" një copë tokë, kryesisht për të mbajtur vendin e punës. Janë të shumta rastet kur këto objekte nuk i kanë hapur dyert që nga ndërtimi i tyre, pasi realisht janë larg fshatit dhe nuk frekuentohen as nga personeli mjekësor dhe as nga pacientët. Ambulancat nuk janë marrë në dorëzim nga drejtoria e shëndetit publik. Punimet nuk janë verifikuar nga specialistët e këshillit të Qarkut Dibër, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë, pasi largësia nuk e lejon një gjë të tillë. Ato nuk janë kontrolluar gjatë ndërtimit as nga specialistët e Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor Mat, pasi nuk ka qenë kompetencë e saj. Për rrjedhojë këto ambulanca e qendra shëndetësore janë të vogla, çatia është jashtë çdo kushti teknik, mungon banja, nuk kanë ujë, etj. Largësia e ambulancave, mungesa e bazës materiale në to dhe indiferenca e personelit mjekësor bëjnë që shërbimi shëndetësor në shumicën e fshatrave të Matit të mungojë. Pacientëve, nga të gjitha zonat e rrethit, nga Macukulli, Xibri, Derjani, Gurra, Komsia, Kurdaria, Lisi, etj, u duhet të udhëtojnë me orë të tëra, për të siguruar shërbimin e kërkuar në qytet. h.p