Kontrastet ballkanike në fotografitë e gjermanes
Përgjatë 9 muajve, i ka rënë kryq e tërthor Ballkanit. Vende, njerëz, zakone... Sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme. Ballkanin, një nga rajonet më të nxehta, artistja gjermane Carina Icking, e ofron përmes aparatit të saj fotografik, në një seri ekspozitash, që ajo hap në të gjitha vendet që viziton. Përmes Shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane "GAP FREE" (German-Albanian partnership for realizing effective exchange), ajo prezanton fotografitë e saj edhe në Tiranë, në një ekspozitë, e cila do të hapet nesër, deri në datën 31 shtator. Në korpusin e saj fotografik Carina Icking ofron përshtypjet e saj mbi Ballkanin. Nuk janë thjesht foto turistike, të cilat mund t'i shohë e t'i realizojë çdo turist që kalon përmes gadishullit. Ajo është e kujdesshme ndaj detajeve, ndaj portreteve njerëzore, vendeve të "fshehura", duke ofruar një botë të njohur e të panjohur njëkohësisht. Në itinerarin e saj nëntëmujor, është padyshim edhe Shqipëria, ku ajo fikson skena dhe përpiqet të hyjë më thellë në botën e shqiptarëve, të zbulojë se si jetojnë ata dhe cilat janë traditat e tyre. Kush janë këta njerëz, cilat janë problemet dhe shqetësimet e tyre, çfarë ëndrrash kanë?!
Ajo arrin të pasqyrojë këta njerëz në momentet kur kanë lënë mbrapa çdo kërcënim, frikë dhe lejojnë kamerën të hyjë në jetën e tyre të përditshme. Fytyrat shumë shprehëse të njerëzve nga Ballkani japin mundësinë të thellosh njohuritë për jetën e vështirë, e cila është ulur këmbëkryq përmes teknologjisë moderne për t'u bërë kështu më e dukshme për të gjithë.Gjatë udhëtimit të saj fotografik, ajo ka realizuar me mijëra shkrepje aparati dhe në Tiranë ofron vetëm një pjesë të tyre. Seria fotografike do të ekspozohet në ambientet e Shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane "GAP FREE" (rr. "Beqir Luga", Nr. 56), e cila synon të mbështesë dhe përkrahë dialogun intelektual ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë. Duke e konsideruar ekspozitën si një shkëmbim reciprok, organizatorët mendojnë se "shkëmbimet nuk janë vetëm ura lidhëse mes dy kulturave, ato i zhvillojnë ato gjithashtu".