Dede: Luftëtari, agresiv gjithë kohës me Besëlidhjen
Trajneri i ekipit gjirokastrit, Nevil Dede, kërkon që futbollistët të manifestojnë qetësi dhe optimizëm për ndeshjen e radhës
Luftëtari nuk arriti të fitonte me Skraparin në transfertë, edhe pse pati epërsi të dukshme, duke krijuar mjaft raste për gol. Humbja e 2 pikëve bëri që diferenca midis tij dhe ndjekësit më të afërt të bëhej nga 6 në 4 pikë. Luftëtari shkoi në Skrapar me një diferencë kolosale pikësh, plot 25, por në fushën e lojës rezultuan 0-0.
Natyrisht, është e pakëndshme për gjirokastritët, por që në futboll, në maratonën e një kampionati, ka ndodhur, ndodhi dhe do të ndodhë. Luftëtari nuk duhet të ligështohet nga ky barazim, por në radhë të parë jo vetëm duhet të gjejë forcat psikike për ta tejkaluar këtë të papritur, por edhe të përqendrohet në ndeshjen e radhës me Besëlidhjen në Gjirokastër.
Kundërshtari ka dalë fitues si pritës fazën e parë dhe kësisoj Luftëtari ka një arsye më shumë për ta kërkuar me ngulm fitoren, për të pasuruar edhe koleksionin, pasi vetëm të tilla ka korrur në shtëpi.
Dede Trajneri Nevil Dede, aq i përkushtuar për ta çuar këtë ekip në elitën e fubollit kombëtar, ku mungon për të 5-tin sezon radhazi, shprehet: E vërteta është se nuk na vjen mirë për rezultatin që arritëm në Skrapar me ekipin vendës. Mendoj se në vazhdim nuk duhet të merremi me atë ndeshje, sepse ajo ka mbaruar, por të mundohemi të eliminojmë sa më shumë defektet e konstatuara, veçanërisht finalizimin.
Them se nuk është dramë e madhe ky barazim, sepse realisht ekipi ynë luajti i përqendruar dhe i karikuar. Ndoshta karikimi i tepërt bëri që futbollistët të mos kishin qetësinë e duhur për shënimin e golit, që e kërkuan me shumë dëshirë mjaft lojtarë. Dua të theksoj dhe të mos harrojmë se ekipin e mora me 3 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe tani diferenca është 4 pikë më shumë nga ata që na ndjekin.
Që të hënën po mendojmë dhe po punojmë për ndeshjen me Besëlidhjen, që është një ndër ekipet që ndodhet në katet e sipërme të renditjes, ndaj na duhet kujdes specifik. Do të kërkojmë ta zgjidhim sa më shpejt rezultatin, duke qenë agresivë në çdo çast, ndërsa gjatë gjithë lojës do të ushtrojmë presion ndaj kundërshtarit në fjalë.
Kërkoj qetësi dhe optimizëm nga gjithë ekipi, sepse na duhet ta ruajmë ose edhe ta thellojmë diferencën në pikë nga ndjekësit. Dua optimizëm jo vetëm te lojtarët por edhe te tifozët, pas shoh, le të dal i gabuar, njëfarë pesimizmi. Dua ngrohtësi nga gjithë faktorët që na rrethojnë, duke përfshirë tifozët, sepse harmonia midis hallkave është e rëndësishme për mbarëvajtjen e ekipit tonë.
