E Diel, 1 Nëntor 2026

Magani: Besa nuk e humbet besimin për superligën

Nga Leonard Dushku

Ky fillim i fazës së dytë nuk po shfaq atë Besë që pritej nga të gjithë, aq më tepër pas ndërhyrjeve të presidentit Bizhdili në merkaton e dimrit, kur në ekip erdhën jo pak futbollistë me përvojë. Kavajasit kanë marrë 3 pikë në 2 ndeshjet e luajtura nga faza e dytë, pasi me Gramozin do të luajnë më 14 mars. Madje e dhe me Adën në fushën e saj Besa ka arritur të fitojë me vështirësi, duke shënuar në minutat e fundit.

Humbja në Kukës i vështirëson jo pak llogaritë e drejtuesve të ekipit, që kërkojnë ngjitjen direkte në superligë. Trajneri Gugash Magani, i kontaktuar nga Sporti shqiptar, thekson se sulmi nuk po bën detyrën e tij, ndaj dhe ekipi po vuan: Humbëm në Kukës, pra në fushën e një rivali të drejtpërdrejtë, por kjo nuk do të thotë se e kemi humbur besimin për ngjitjen në superligë. Kampionati është i gjatë dhe ne kemi shumë javë në dispozicion për të arritur atë që presin të gjithë në Kavajë.

Është e qartë se duhet të marrim sa më shumë pikë, në rast se duam ta arrijmë objektivin. Dua që ekipi të mos bëjë të njëjtaj gabime si në Kukës gjatë ndeshjeve në vazhdim. Besa nuk zhvilloi atë lojë që unë kërkoj, por besoj se gjërat do të ndryshojnë në vazhdim të kampionatit, pasi i kemi mundësitë.

Siç gabuam ne javën e fundit, mund të gabojnë edhe rivalët tanë. E rëndësishme është që Besa të tregojë vlerat e saj, duke nisur që këtë të shtunë, kur do të presim Mamurrasin. Duhet të mendojmë vetëm për tripikëshin në çdo ndeshje të mbetur të kampionatit, tha mes të tjerash trajneri i kavajasve, Gugash Magani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›