E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dede: “Tërhiqem nga futbolli i luajtur”



Mbrojtësi disa herë kampion i Shqipërisë me Tiranën dhe Elbasanin Nevil Dede vari “këpucët në gozhdë”. “Mund të them se kam vendosur të tërhiqem nga futbolli, dëmtimi në gju nuk më ka kaluar ende dhe kështu kam vendosur të tërhiqem përfundimisht, zyrtarizimin e largimit nga fusha e blertë do e bëjë në ditët në vijim”, - theksoi Dede. Mbrojtësi që ka qenë edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar flet për rolin e tij te Tirana. “Unë jam i gatshëm të bëjë çdo gjë te Tirana. Presidenti e ka në dorë emrin e trajnerit, unë jam gati, ndërkohë që mendoj dhe besoj se Tirana si një klub i madh do të bëjë zgjedhjen e duhur. Aktualisht Tafaj do drejtojë ekipin dhe unë do jap ndihmesën time pas tij, ndërsa mund t’u them se shumë shpejt do të filloj edhe kursin për të marrë licencës e UEFA-s për trajner në Superligë”, - përfundoi Dede.

Gjermania kujton makthin me Shqipërinë

Në Gjermani ende e kujtojnë fitoren dramatike 4-3 ndaj Shqipërisë, më 11 tetor të vitit 1997, që u siguroi gjermanëve një vend në finalet e Kampionatit Botëror “Francë 1998”. Gjermania kishte nevojë për vetëm një pikë në ndeshjen e fundit të saj në grupin e 9-të eliminator. Përballë saj në Hanover ishte Shqipëria, një skuadër e konsideruar si “autsajder”. Pas 55 minutave lojë tre herë kampionët e Botës përballë 44 mijë shikuesve ishin në dizavantazh 0-1, pas një autogoli të mbrojtësit Jurgen Kohler (“Ndeshja ime më e keqe me Kombëtaren”, - tha ai për mediat gjermane). Krejt papritur Kampionati Botëror për Gjermaninë ishte shndërruar në një makth të jashtëzakonshëm. Finalet ishin në rrezik. Pjesa e dytë ishte një “skenë krimi futbollistik”, shkruan “Der Spiegel”. Tomas Helmer barazoi rezultatin në 1-1 (65’), Oliver Bierhof i çoi shifrat në 2-1 (73’), por Igli Tare barazoi rezultatin në 2-2 në të 80’. Oliver Marshal i dha avantazhin 3-2 Gjermanisë pas gjashtë minutash në të 86’. Por, Vata, pas dy minutash në të 88’ barazoi rezultatin në 3-3. Gjermanët ishin në panik. Një gol tjetër i mundshëm i Shqipërisë e çonte Gjermaninë e Berti Fogts në vendin e dytë dhe në Play-of, por goli me kokë e Oliver Bierhof, ai 4-3, në minutën e fundit, i shpëtoi gjermanët nga një tjetër vuajtje të madhe me Shqipërinë.

Tronditet Italia, Kanavaro pozitiv

Tronditet bota e futbollit italian, ndërsa ngjarja ka marrë menjëherë përmasa ndërkombëtare. Probleme për kapitenin e Kombëtares italiane, Fabio Kanavaro. Mbrojtësi rezultoi pozitiv në testin anti-doping, për shkak të një ilaçi të marrë pas pickimit nga një bletë. Juventusi ia kishte konfirmuar përdorimin e ilaçit te CONI, me shpjegimin se “ai ishte vetëm një anti-alergjik”. Por, prej problemeve në komunikimin mes strukturave, Kanavaro quhet që ka “rezultuar” pozitiv dhe tashmë ka filluar marrja në pyetje në Torino.

Kategoria e Parë, askush nuk humbet në shtëpi

Në Kategorinë e Parë është shumë e vështirë të humbasësh brenda fushës tënde. Të paktën, në gjashtë javët e para të këtij kompeticioni të futbollit shqiptar, nga 16 skuadra, vetëm 3 kanë humbur në shtëpinë e tyre: pikërisht, Turbina e Cërrikut, Skrapari dhe Memaliaj. Lushnja mban rekordin për barazime në shtëpi: 3, Besëlidhja (2), Burreli (2), Gramshi (2), Skrapari (1), Memaliaj (1). Bylisi, me 2 ndeshje, dhe Lushnja (1) janë të vetmet skuadra që kanë mundur të fitojnë në transfertë.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›