E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndizet pishtari olimpik, sporti nuk njeh barriera



Nën tingujt e himnit zyrtar të Lojërave Olimpike, nisi ditën e djeshme edicioni i dytë i Lojërave Olimpike Speciale 2009, të mbështetura nga Fondacioni Vodafone Albania. Ceremonia e hapjes së këtyre lojërave u zhvillua pranë Rezidencës Presidenciale, ku Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi kreu nderimet e rastit dhe i dorëzoi pishtarin me flakën olimpike, njërit prej lojtarëve të përzgjedhur ndër 250 atletët pjesëmarrës të këtij edicioni. Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës Z. Topi falënderoi kompaninë Vodafone Albania “që i ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme këtij aktiviteti” duke iu drejtuar lojtarëve me aftësi speciale se “Pishtarin nuk e ndeza as unë, as zotërinjtë që janë këtu sipër. Pishtarin e ndezi zjarri juaj, vullneti juaj i cili e mban gjallë dhe të ndezur. Kështu që unë ju falënderoj nga zemra që merrni pjesë në këtë aktivitet, sepse ky aktivitet përtej konkurrimit ka një gjë shumë të madhe; pjesëmarrjen!” Pas fjalës përshëndetëse të Presidentit të Republikës flaka olimpike vazhdoi rrugën drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku atletët u përshëndetën nga Kryeministri Z. Sali Berisha dhe më tej nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Z. Edi Rama. Lojërat filluan zyrtarisht me mbërritjen e flakës pranë Qendrës Sociale “Don Bosco”. 12 skuadrat pjesëmarrëse te këtij edicioni vijnë nga 9 rrethe të ndryshme të Shqipërisë, të cilat janë Berati, Durrësi, Elbasani, Lezha, Korça, Pogradeci, Shkodra, Tirana dhe Vlora. Disiplinat sportive në të cilat ato janë duke konkuruar janë basketbolli, futbolli, atletika, ping-pong, boëling dhe noti. Lojërat do të zhvillohen përgjatë 3 ditëve dhe do të mbyllen zyrtarisht nesër pas finaleve të basketbollit, futbollit dhe maratonës së vrapit. Gjithashtu nesër, pas ndarjes së çmimeve dhe trofeve, në Qendrën Sociale “Don Bosco” do të zhvillohet edhe koncerti festiv me këngëtarë dhe artistë të njohur. Qëllimi kryesor i këtyre lojërave janë aktivizimi, integrimi në shoqëri, thyerja e pengesave të komunikimit si dhe ndërgjegjësimi dhe mbështetja e faktorëve të ndryshëm ndaj individëve me dhe pa aftësi speciale. Kjo ishte ajo çka u evidentua edhe në ceremoninë e hapjes; devotshmëria dhe përkushtimi i Fondacionit Vodafone Albania, për të sjellë në vëmendjen publike domosdoshmërinë e aktivizimit të të gjithëve në thyerjen e barrierave të komunikimit midis pjesëtarëve të ndryshëm të komunitetit. Ashtu siç do të evidentonte edhe Presidenti i Republikës “ne duhet të inkurajojmë prindërit në mënyrë të veçantë, të cilët këtë problem nuk e kanë mbajtur të mbyllur në ambientet e shtëpisë por e kanë nxjerrë në ambientin shoqëror, sepse janë pikërisht institucionet, njerëzit e ndjeshëm të shoqërisë që u japin kurajë këtyre fëmijëve për të parë jetën njësoj si gjithë të tjerët.” Në këtë frymë, në mbarëvajtjen e këtyre lojërave Fondacioni Vodafone Albania ka edhe mbështetjen e Olimpikut Special Shqiptar, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendrës Sociale “Don Bosco” si dhe një numër i madh vullnetarësh nga Korpusi i Paqes në Shqipëri, Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Kryqi i Kuq Shqiptar si dhe punonjës të Vodafone Albania. Përveç angazhimit dhe përkushtimit ndaj kësaj pjese të shoqërisë, ajo çka Fondacioni Vodafone Albania arriti të bënte realitet për të dytin vit radhazi ishte dërgimi i mesazhit të rëndësishëm se “Sporti nuk njeh barriera. Bëhu edhe ti pjesëmarrës. Bashkë do të jemi më mirë e më shumë”.

SKUADRAT

12 skuadrat pjesëmarrëse te këtij edicioni vijnë nga 9 rrethe të ndryshme të Shqipërisë, të cilat janë Berati, Durrësi, Elbasani, Lezha, Korça, Pogradeci, Shkodra, Tirana dhe Vlora.

Grushtet ndaj gjyqtarëve,
FSHF-ja dënon ashpër dhunën

Federata Shqiptare e Futbollit dënoi me tone të forta shfaqjet e dhunës në ndeshjen e prapambetur të Kategorisë së Parë, Sopoti – Elbasani, duke iu bërë thirrje gjithë aktorëve të futbollit shqiptar të jenë të kujdesshëm me shkeljen e normave të zhvillimit normal të ndeshje futbolli, pasi dëmton rëndë imazhin e sportit. “Federata Shqiptare e Futbollit, tejet e shqetësuar për shfaqjet e dhunës të shfaqura në ndeshjen e prapambetur të kategorisë së parë Sopoti – Elbasani, kërkon të tërheqë vëmendjen e klubeve, futbollistëve trajnerëve, gjithë opinionit futbolldashës në Shqipëri, për këtë ngjarje të rëndë. Të mërkurën në takimin e prapambetur të zhvilluar në Librazhd ndërmjet Sopotit dhe Elbasanit, është ushtruar presion dhe dhunë fizike ndaj gjyqtarit kryesor, janë hedhur sende në fushë dhe janë shkelur norma të tjera të zhvillimit të një ndeshjeje futbolli.
Federata Shqiptare e Futbollit, informon opinionin se i dënon këto akte, të cilat s’kanë asgjë të përbashkët me lojën e futbollit dhe imazhin e saj. Ajo konfirmon se çdo shfaqje dhune, intolerance dhe mungese respekti, ndaj kundërshtarëve, gjyqtarëve, tifozerive apo institucionit të futbollit, nuk do të tolerohet. Përkundrazi, akte të tilla të dënueshme do të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes të veprimtarisë së saj.
FSHF i kërkon komisioneve të saj, të jenë të ashpër në vendimet ndaj shkelësve të rregullores së lojës dhe të imazhit të futbollit. Ajo i bën thirrje të gjithë faktorëve, në mënyrë të veçantë klubeve të futbollit dhe organizatorëve të ndeshjeve, që të marrin të gjitha masat për zbatimin e rregulloreve dhe për ruajtjen e imazhit të lojës”, - përfundon deklarata e FSHF-së.

Elbasani fiton 2-0 në tavolinë me Sopotin

Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare e Futbollit i dha fitoren 2-0 në tavolinë Elbasanit në ndeshjen e prapambetur me Sopotin, pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrave, hedhjen e sendeve të forta në fushë, çka ka sjellë si pasojë mos zhvillimin normal të ndeshjes e cila nuk është ndërprerë nga gjyqtari për të mos krijuar probleme sociale.

Sopoti e Hajdari, 400 mijë lekë gjobë

Në bazë të neneve 4, 9, 13, 19, 22 e 24/21 të Kodit të Drejtësisë Sportive klubi i Sopotit u gjobit edhe me 200 mijë lekë. Edhe futbollisti i Sopotit, Shkëlqim Hajdari për goditje me shkelm të kundërshtarit dhe goditje me shkelm e grushte arbitrit, ne baze te neneve 4, 9, 13, 19, 22 e 26/3 u dënua me tre vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 200 mijë lekë gjobë. Tre klubet e Kategorisë Superiore, përkatësisht Laçi, Gramozi e Skënderbeu, për hedhje të sendeve të forta në fushë e fyerje nga tifozët në grup, në bazë të neneve 4, 9, 19 e 24/18 të Kodit të Drejtësisë Sportive u dënuan secili me nga 100 mijë lekë gjobë nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare e Futbollit.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›