E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët socialistë të Tiranës: “Qytetarët të mbështesin protestën e sotme”



Deputetët socialistë të qarkut të Tiranës u kanë bërë thirrje qytetarëve të Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë që të mbështesin protestën e sotme për hapjen e kutive të votimit. Sipas tyre, kjo protestë është shumë e rëndësishme sepse do ta detyrojë Berishën që t’i bindet Kushtetutës, ligjit dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur më 28 qershor. “Ftojmë në protestë të shtunën, në orën 5 pasdite, përpara Kryeministrisë, të gjithë ata burra e gra, të rinj e të moshuar që më 28 qershor votuan për të ardhmen e tyre, por që sot gjenden të manipuluar e të gënjyer nga një qeveri e nga një kryeministër që demokracinë dhe shtetin ligjor e mban peng brenda kutive të votimit. Ftojmë në protestë të shtunën, në orën 5 pasdite, përpara Kryeministrisë, të gjithë qytetarët që si ne, e ndiejnë Shqipërinë vendin e tyre, e jo të Sali Berishës, të Ilir Metës e oborrtarëve të tyre. Që demokracinë e shtetin ligjor e ndiejnë investimin themelor të një shoqërie të shëndoshë, e jo perden pas së cilës fshihet manipulimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme nga një qeveri e korruptuar. Që Shqipërinë europiane dhe lëvizjen e lirë e pa viza e ndiejnë destinacionin e së ardhmes, të cilën nuk mund ta marrë peng askush. Ftojmë në protestë të shtunën në orën 5 pasdite, të gjithë ata që vazhdojnë të besojnë se qytetarët e ndershëm janë ende në shumicë dërrmuese përballë një pakice manipulatore në qeveri. Një pakicë manipulatore në qeveri, që të shtunën në orën 5 pasdite, përpara Kryeministrisë, do të bindet ndaj thirrjes tonë për hapjen e kutive, për transparencë dhe për zbardhjen e korrupsionit elektoral. Kjo është një betejë të cilën ne dhe shumica e shqiptarëve do ta fitojmë për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë europiane. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që e ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të mbahet peng brenda atyre kutive nga kjo maxhorancë manipulatore”, - thanë deputetët socialistë të qarkut të Tiranës.

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›