E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dede në Elbasan, rikthehen bisedimet

Drejtuesit elbasanas dhe vetë presidenti Arben Laze nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga ish-kapiteni i skuadrës, Nevil Dede, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në arritjen e titullit kampion një sezon më parë. Në fakt bisedimet mes tij dhe drejtuesve verdheblu kanë nisur javë më parë, por në mes ka qenë pjesëmarrja e Tiranës në Ligën e Kampioneve dhe për momentin bisedimet mbetën pezull. Menjëherë pas përfundimit të aventurës së Tiranës në Europë, janë rikthyer edhe njëherë bisedimet mes palëve. Oferta elbasanase për idhullin e tifozerisë së tyre është shumë e lartë për tregun shqiptar dhe natyrisht nuk mund të mos e joshë mbrojtësin Dede. Ditën e enjte ai ka qenë prezent në qytetin e Elbasanit ku patjetër qëllimi i vizitës së tij ka qenë takimi me presidentin Laze, rreth një kalimi të mundshëm në skuadrën, që sezonin e ardhshëm kërkon patjetër rikthimin tek titulli kampion. Ende nuk dihen detajet e bisedës mes tyre, por i sigurtë mbetet interesimi i fuqishëm për ta rikthyer mbrojtësin e kombëtares Dede edhe njëherë në gjirin e verdhebluve. Deklaratat e fundit të presidentit Laze se do të sjellë dhe dy emra të mëdhenj të Superligës shqiptare të bëjnë të mendosh se një prej tyre fare mirë mund të jetë dhe ish-kapiteni i skuadrës, Nevil Dede.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›