E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani-Bojinov, rivalë për Lacion

"Sytë e hedhur mbi bomberin shqiptar, por përse duhet braktisur pista Bojinov?", - kjo është pyetja që shtron gazeta italiane "Corriere Dello Sport" në lidhje me blerjen e mundshme të Lacios në vijën sulmuese. Bogdani është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes së medias sportive italiane. Alternativa e fundit për destinacionin e ri të sulmuesit shqiptar vjen nga Lacio, por nëse një ditë me parë flitej për një shkëmbim, ku në tratativa përfshihej edhe Igli Tare, rivali i ri është bullgari 21-vjecar Valeri Bojinov, i cili është ende në forcë me Fiorentinën.
"Për Bogdanin ka një interesim nga Lacio, por nuk ka ende një tratativë", - pohoi për gazetën italiane "Corriere Dello Sport", drejtori sportiv i Kievos, Xhovani Sartori. Në fakt nuk ekziston një trajtim zyrtar për transferimin e mundshëm të Bogdanit, por mund të hapet shumë shpejt një i tillë brenda pak ditëve. Drejtuesit verdheblu të Kievos e pranuan se Lacio e ka shfaqur në mënyrë direkte interesimin për Bogdanin. Oferta për bomberin shqiptar, e bërë publike ditën e martë në shtëpinë bardhekaltër për 3.5 milionë euro, duket se ka goditur në shenjë. Përpara se të hidhet në merkato për të blerë një sulmues të ri, Lacio duhet t'u gjejë një vend dy të padëshiruarve, Simone Ingagit dhe Igli Tares, më pas të rifillojë sulmin për Bogdanin. Sezonin e ri ka të ngjarë që numrin 81 me uniformën bardhekaltër të Lacios ta veshë Erion Bogdani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›