E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dedin Suli dekorohet Naim Frashëri i Artë

Urdhri Artisti po përgatit një libër mbi historinë e koreografisë

Në një ceremoni të organizuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, koreografit Dedin Suli i është dorëzuar urdhri “Naim Frashëri i Artë” nga Presidenti Bamir Topi. E djeshmja nuk ka qenë vetëm një ceremoni zyrtare. Pas fjalës së mbajtur nga drejtori i Teatrit të Operës, z. Zhani Ciko, kujtimeve të sjella nga kolegët e Sulit si Albert Janku, Faruk Koka, Llaqi Nako, përmes një dokumentari të pranishmit kanë parë momente të rëndësishme të krijimtarisë dhe jetës së koreografit. Kastriot Tusha, motive në piano nga djali i tij, Antonin Suli, baleti “Mjellma” i çajkovskit dhe një pjesë baleti kontemporane nga solistët e TOB-it, kanë qenë elementët artistikë të mbrëmjes. Ndonëse prej 20 vjetësh bashkë me familjen Dedin Suli jeton në Padova të Italisë, mbetet i pashkëputur nga zhvillimet artistike në Shqipëri. Dedin Suli u lind në qytetin e Shkodrës më 26 mars 1935, në një familje qytetare me tradita patriotike dhe kulturore. Në vitin 1948-1950 qe nxënës në shkollën “11 Janari” në Shkodër, ku pati fatin të njihej me kompozitorin Prenk Jakova, nga i cili ka dëgjuar përveç muzikës sonë edhe atë të repertorit botëror. Fillimin e karrierës së tij e shënon pjesëmarrja në konkurset kombëtare për valltar profesionist që organizonte Filarmonia Shqiptare në vitin 1951. Aktiviteti artistik i Dedinit fillon me baletin “Shatërvani” i Bahcesajit (1951) për të vazhduar me “Esmeralda”, “Kujdesi i kotë”, “Romeo dhe Xhulieta”, “Lola” etj. Ka qenë pjesëmarrës në disa opera dhe filma artistikë. Për aktivitetin e tij është vlerësuar me disa çmime, ndërsa si njohës i fushës së baletit ka shkruar dy libra: njëri për valltarin e njohur, Besim Zekthi, dhe tjetri për koreografin Agron Aliaj. Suli ka ende në proces një libër për koreografinë shqiptare, të cilin e ka titulluar “Historiografia e artit koreografik shqiptar”. Ndonëse vitet e kanë mënjanuar nga skena, ku për dekada me radhë dha kontributin si kërcimtar e si koreograf, Suli, përmes librave të tij, dokumenton jetën dhe punën e figurave të njohura të baletit apo koreografisë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›