E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX, gati hetimet dhe te serbët e Kosovës

Misioni i BE-së do ta shtrijë aksionin edhe në veriun e vendit

Misioni Europian për sundimin e ligjit ka paralajmëruar shtrirjen e hetimeve në veriun e Kosovës, për një numër rastesh, përfshirë ato të korrupsionit, krimit të organizuar dhe vrasjeve. Një zëdhënëse e EULEX-it, Kristina Herodes, i tha BBC-së se hetimet do të përfshijnë edhe strukturat paralele në veriun e Kosovës, si dhe të gjitha organizatat e tjera dhe individët që dyshohet të jenë të përfshirë në krim të organizuar. Ajo tha se hetimet për vrasje përfshijnë periudhën e viteve prej vitit 2004 e deri në ditët e sotme dhe theksoi se EULEX-i do të hetojë të gjitha rastet, pavarësisht përkatësisë etnike. Herodes përjashtoi mundësinë që hetimet në veri të bëhen me motive politike ose për të baraspeshuar hetimet që kanë filluar në pjesën tjetër të Kosovës. Veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ka qenë jashtë kontrollit të mekanizmave ndërkombëtarë dhe atyre vendorë. Shpesh ka qenë arenë e përplasjeve ndëretnike. Zonja Herodes tha se ka një shkallë të gjerë të hetimeve që zhvillohen në veri. “EULEX-i është vendosur në veriun e Kosovës që nga viti 2008 dhe që atëherë policët, prokurorët dhe gjykatësit tanë punojnë atje. Kjo nënkupton se hetime të ndryshme po zhvillohen dhe një shkallë e gjerë e rasteve të krimit janë nën hetime, duke përfshirë vrasje, përdhunime, vjedhje, lëndime trupore, krim të organizuar, korrupsion dhe kontrabandë”, tha Herodes. Sipas saj, asnjë strukturë ose organizatë që mund të jetë përfshirë në krim të organizuar ose në kontrabandë nuk do të mbetet pa u hetuar. Sipas saj, të gjitha rastet në veri do të hetohen pavarësisht përkatësive etnike. Zëdhënësja e EULEX-it deklaroi se “nëse ka dyshime për ndonjë krim të kryer, atëherë kjo nuk ka të bëjë me politikën, por prokurorët dhe policët do të hetojnë. Kjo nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike ose atë partiake”. Pyetjes së BBC-së në lidhje me hetimin e strukturave paralele në veri të Kosovës, Herodes iu përgjigj se “kjo reflekton edhe tek ata. Nëse një person ka kryer krim, që dyshohet të ketë kryer krim, atëherë ka nevojë për hetime. Dhe nuk ka rëndësi se cilës përkatësi etnike ose organizate i takojnë ose cilit nivel të shoqërisë. Paralajmërimet për fillimin e hetimeve edhe në pjesën veriore të Kosovës vijnë në kohën kur janë shtuar zërat për shtrirjen e hetimeve të misionit të EULEX-it, edhe në disa institucione të tjera në Prishtinë dhe në disa komuna të Kosovës. Madje ka pasur zëra ditëve të fundit se do të ketë edhe arrestime të mundshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë së Kosovës, me dyshimin e përfshirjes në korrupsion”. Por hetimet në veri nga EULEX-i nga përfaqësuesit politikë të serbëve janë parë me dyshime. Sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, i tha BBC-së se Beogradi zyrtar mbron qëndrimin e vendosjes së rendit dhe të ligjit edhe në veriun e Kosovës por, siç tha ai, jo me qëllim të vendosjes së një balance me atë që po ndodh në Prishtinë. Ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se do të punojnë në dy aspekte në veriun e Kosovës, përfshirë atë të shtrirjes së autoritetit të vendit dhe mekanizmave ndërkombëtarë në veri dhe të luftimit të dukurive negative. Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka kërkuar që veprimet në veri të jenë të bashkërenduara dhe jo spektakolare, që nuk do të garantonin rend dhe ligj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›