E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koleksioni i përhershëm

Racizëm i treguar me fjalë

Shoqëria e sotme postindustriale, postmoderne, “teknologjike”, e shpejtësive marramendëse, e interkomunikimit dhe plot e plot përcaktime kësi lloj, po rrëzon mure kështjellash kulturore nacionaliste, dikur “sakrale”, të patundshme, hijerënda. Mure ciklopike, ku stadet historike të zhvillimit të popujve, etnive, kombeve, racave kanë gdhendur mbi gurët e vjetër “shpirtin” e tyre. Herë-herë është dukur një shpirt i pashkulshëm, vetanak, i patjetërsueshëm; shpirt heroik, me gjene të ngulitura në hershmërinë e vetë qenies kur ajo u ngjiz si e tillë, mes pyjeve e lumenjve, mes tumulave e piramidave, mes egërsirave dhe dorës së pastërvitur që latonte gurin a ngjyroste shpellën dhe gjer te kohët e mbrame, kur shtjella e urrejtjeve etnike e racore, e përjashtimeve kulturore hidhte mbi supet e ushtarëve pushkët dhe kriste luftërat e përgjakshme, plojat e pafundme e të paarsyeshme të vullnetit tiranik, thënë më drejt të vullnetit shtypës për të sunduar. Por historia, pikërisht përmes këtyre plojave dhe gabimeve fatale, ka ditur të nxjerrë mësime; ka bërë, hap pas hapi, edhe katarsën e vet. Dhe katarsa më fatlume, me sa duket, është pranimi reciprok, jo përjashtimi. Kjo nënkupton shtetet më së pari, më tutje popujt, kombet, etnitë, për të ardhur te kulturat dhe pjesa e brishtë, përshkënditëse e saj: arti. Arti, pos arsyes historike dhe njëmendësimit të tij si formë, le ta quajmë “ontologjike”, e njohjes dhe e pasqyrimit të jetës së njeriut këtu apo aty, ka edhe një tjetër arsye, që është përtej fizikes, të prekshmes, historikes: arsyen, le ta quajmë trashdentale, që e bën atë të përjetshëm, bulb të qenies, mbikohor, ndërkontinental, universal, pse jo dhe mbinacional, mbiracor. Ishte kjo qasje që më shtyu të shkruaj për shfaqjen “Koleksioni i përhershëm”, shkruar nga Thomas Gibbons me regji të amerikanit Clarence Gilyard dhe Mirush Kabashit, skenograf Bashkim Zahaj. Me patjetër që kujdesi i ambasadës amerikane në Shqipëri për ta mundësuar një nismë të tillë teatrore, të paraparë si një performim dygjuhësh, shqip-anglisht, (me titrimet e ndërsjella), do të meritonte një duartrokitje të nxehtë… dhe Zoti e bëftë mbarë, me të tjera projekte bashkëpunimesh teatrore, ku kulturat, shpirtrat, pasionet dhe eksperiencat e përbashkëta mund të dialogojnë lirisht në voli të njohjes më të mirë të njëri-tjetrit. Kureshtja për të parë një performim dygjuhësh ka kohë që më është shuar, shpresoj edhe shumë prej artdashësve në Tiranë, qysh se “arkapiat” e izolimit dramatik të teatrit tonë u flakën tej pas vitit 1990. Gjësende të tilla bota vazhdon të bëjë rëndom. Dhe kjo, me dëshirën e mirë për të afruar popujt, kulturat e tyre, artistët, sikurse për të rrahur probleme që u interesojnë të dyja (a shumë) palëve. Filluar fort në vitet ’60 nga Piter Bruku e co., me aktorë që luanin njëherësh në po të njëjtin subjekt në disa gjuhë (secili sipas gjuhës së vet) dhe deri tek eksperimentimet e gjithëfarta për të bërë të interpretojnë së bashku aktorë të kombeve e racave të ndryshme, teatri ka dashur të dëshmojë në këtë mënyrë se ai mund ta çajë koracën e bronztë të vetëkufizimit gjuhësor, të logosit, të fjalës, falë mjeteve të tjera shprehëse që ai disponon: plastikës, mimikës, intonacionit zanor, gjestit shprehës, ritualit, këngës, valles, ritmit, efektit hipnotik etj. Shfaqja “Koleksioni i përhershëm” nuk ishte e këtij lloji, as e synonte këtë gjë. Pra, ajo ishte mirëfilli një shfaqje e bazuar te fjala. Madje, thuajse e vetmja edhe në konceptin regjisorial, pa elemente të tjerë që mund të përplotësonin kuptimet, si dhe komunikimin me sallën. Një mizanskenë fare e thjeshtë, ndoshta për të mos e vështirësuar më tej komunikimin, pasi sytë duheshin drejtuar te titrimi i fjalëve të përkthyera sipër. Duke ruajtur politesën kundrejt një projekti të tillë të mirëpritur, unë parapëlqej t’i anashkaloj mbresat e mia që lidhen mirëfilli me njëmendësimin skenik të tekstit, paçka se nuk mund të mos përmend lojën e natyrshme dhe të ndjerë të aktorëve, filluar me Clarence Gilyard, Mirush Kabashi, Ema Andrea e deri tek e mirënjohura, Tinka Kurti, që ende e mban shpirtin në skenë. Më duhet të rikthehem te qasja e sofistikuar e autorit Thomas Gibbons në këqyrjen që i bëhet fenomenit të racizmit. është kapur diçka, në dukje, pa “peshë” sociale, politike, nacionale etj. Një qëndrim ndaj artit, ndaj disa artistëve të njohur impresionist e postimpresionist si Sezan, Dega, Mone, Mane etj. Por, përtej tyre, ja ku nxjerr kokën problemi i pambyllur i racizmit, por në tjetër qasje. Pra, nuk kemi më, si dikur, njerëzit e bardhë me maskat në fytyrë (Ku-Klus-Klan) që linçojnë zezakët, as policët me shkopinj gome që i rrahin e i përgjakin ata pamëshirë. Kohët kanë ndryshuar. U desh një Martin Luter King, ëndrra e tij e famshme (I have a dream), por edhe vetë procesi i emancipimit të shoqërisë amerikane, i njohjes dhe rinjohjes reciproke, të bardhë - të zinj, që sot Amerika dhe amerikanët të jenë aty ku janë: me një President afroamerikan si Obama. E megjithatë… Dallimi racial gëlon diku thellë njeriut, qoftë ai Paul Barrou (i bardhi) apo Sterling North (i ziu), si në pjesën në fjalë. Ai shfaqet si inferioritet dhe superioritet, në të dyja rastet i fshehur. Shfaqet si inat, mëri, mospajtim, përjashtim, kinse si e drejtë, por që në fakt nënkupton qëndrimet e padrejta apo shkeljen e të drejtës së tjetrit. Të pranosh tjetrin nuk do të thotë të nënvleftësosh veten dhe e kundërta. Si pjesë trashendentale dhe sublime, arti përveçse shprehës i thelbit të shpirtit të këtij apo atij populli, kombi, race, është, para së gjithash, shprehje e vetvetes, bukuri e kulluar: Arti si Art. Dhe prandaj ai bashkon, nuk përjashton. Dhe prandaj, përkitazi ligjeve imanente të artit, edhe vetë njerëzit, paçka se të ndryshëm në përkatësitë politike, nacionale, racore, nuk duhet ta përjashtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi, ta përqafojnë. Qofsh i ndryshëm, brenda të përbashkëtës! Qofsh qytetar i botës (kozmopolit), pa harruar dhe injoruar rrënjën prej nga ke ardhur, ku ke ashtin dhe shpirtin e paraardhësve. Kjo aritmetikë a dialektikë mendimi është bërë sot një realitet, në shoqëritë e përparuara si Amerika; por është sot gjithashtu një makth, mes përgjakjeve, në udhën e pandalshme të rendit të ri, integrimeve dhe globalizimit, ku bien dhe bien tabutë, kështjellat e diferencimeve nacionale, etnike, racore; zhvlerësohen “talismanet” e gjëmave, “intifadat”, “përbetimet”, duke ia hapur udhën, do-s’do, bashkësisë, komunikimit, njohjes reciproke, dorëzimit të sovraniteteve vetëkufizuese, të ardhmes dhe qytetërimit botëror. Këto mendime më cyti subjekti i dramës “Koleksioni i përhershëm”, teksa e merr artin thjesht si një pretekst, si një shtysë, për të hyrë në korridoret ende të errëta të dallimeve raciale; më saktë, të paragjykimeve, ndjeshmërive dhe botëkuptimeve raciale. Dhe të tjera mendime, që s’kam vend t’i shpreh…

Josif Papagjoni, Kritik teatri

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›