Korrieri i drogës, 300 euro për një kilogram hashash
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur një linjë trafiku nga qyteza e Mamurrasit në Shqipëri drejt Italisë. Nën akuzë janë vënë pronari i lëndës narkotike, Ernest Alia, dhe korrieri i drogës Flamur Xeka. Sipas kërkesës për gjykim, Alia kishte gjetur një mënyrë të veçantë për trafikun e drogës. Ai i paguante emigrantët 300 euro për kilogramë nëse do të mundeshin të trafikonin në Itali lëndën narkotike. Sipas prokurorisë, shtetasi Flamur Xeka, është arrestuar në Portin e Durrësit mbrëmjen e 22 janarit 2010, pasi brenda makinës së tij u gjetën dhe sekuestruan 14 kilogramë hashash. Ai ka pranuar të japë detaje për hetuesit e çështjes, duke përmendur edhe emrin e pronarit të lëndës narkotike. “Menjëherë pas arrestimit të shtetasit Flamur Xeka, ky i fundit ka pranuar se ishte thjesht një ‘korrier’ që kishte marrë 4200 euro nga pronari i mallit, Ernest Alia, për transportimin e 14 kilogramëve hashash nga Mamurrasi në drejtim të Italisë. Me marrjen e këtij informacioni, me urdhër të policisë, është arrestuar Alia, ku dhe i është nënshtruar kontrollit të banesës. Nga kontrolli i banesës janë gjetur dhe sekuestruar edhe 10 kilogramë të tjera hashash të paketuara dhe gati për nisje, si dhe dy armë të modeleve 54 dhe 56, 1065 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy presa për presim të lëndës narkotike, si dhe 7000 lekë të reja”, thanë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Dosja u hetua nga prokuroria Ardian Nezha, i cili i ka komunikuar akuzat zyrtare dy të arrestuarve Xeka dhe Alia, atë të “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Sipas hetimeve, mësohet se në Itali një kilogramë hashash do të shitej me 2000 mijë euro kilogrami, për të cilat do të kujdesej korrieri Xeka. Arrestimi i tyre u krye mbrëmjen e 22 janarit 2010, pasi në makinën tip “Fiat”, me targa italiane “BG820XV” të drejtuar nga emigranti 27-vjeçar Xeka janë gjetur të fshehura në vende të ndryshme të makinës 14 kilogramë hashash të paketuar dhe mbështjella me ngjitës. Ka dyshime se Ernest Alia e kryente këtë trafik edhe me emigrantë të tjerë, të cilëve u paguante edhe tarifën për çdo kilogramë hashash.
#