E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deduksionet disi demodé

Meqë ne shqiptarët shquhemimë së shumti për llafe pa kursim në vend të ideve për veprim, enatyrshme është përse kemi mbeturkëtu ku jemi, në nivele të ulëta zhvillimi. Kjo arsye, midis të tjerave, fatkeqësisht na ka bërë ndonjëherë të kënaqemi me hedhjen e hapave të vegjël përpara, që politikanët në pushtet i paraqesin si kapërcime progresive të mëdha. Ndërkohë që të tjerët vërejnë në retorikat e këtyre të fundit shfaqje të hapura të plogështisë, egoizmit dhe krenarisë. Të plogështisë, kur parapëlqejnë t’i mashtrojmë të tjerët më tepër se sa të përpiqen dhe të veprojnë me vështrim nga e ardhmja; të egoizmit, kur nevoja për të zgjidhur të shumtat probleme i shtyn t’u turren pazareve vetjake në skutat e errëta të politikës dhe korrupsionit; të krenarisë, kur plot të fshehta të këtyre skutave askënd nuk mund ta bëjë të mburret me ‘to. Kështu, të tillë parametra të ulët e të fëlliqur, të mpleksur fort dhe në vazhdimësi, dukshëm ndikojnë në atë prapambetje, që është vështirë të shërbejë dhe të përdoret si pikë referimi për vendet dhe popujt e tjerë të kontinentit tonë, përveçse në raste krizash ekonomike dhe pragjesh falimentimi, si në Greqinë fqinje. “Nëse grekët do të preferojnë ta braktisin euron dhe t’i kthehen këtej e tutje dhrahmisë, shumë shpejt atyre do t’u duhet të ballafaqohen me një gjendje edhe më të keqe se sa ajo e Shqipërisë”. Ja, me këto fjalë përmblidhej një prej paralajmërimeve të dhëna këto ditë nga vendet e Eurozonës, në adresë të territoreve helenike.
Të ndodhur përpara shpalosjes së një realiteti të tillë të hidhur e të dhimbshëm jo vetëm për gjitonët tanë, por edhe për vetë ne, ngushëllimi s’mund të gjendet te dozat e shtuara të trishtimit, se sa te konkretizimi i asaj thënies së përcjellë që së lashti: “Pas çdo të keqeje ka edhe një të mirë”. Pra, që prej Brukselit, Berlinit, Parisit, Hagës etj. etj., sytë janë kthyer edhe te Shqipëria, janë kthyer më shumë se çdo herë tjetër dhe më ngulshëm e vendosmërisht, për të mos lënë më gjatë që plagët e hapura pranë tyre të majisen aq sa të kutërbojnë përçmimin. Këtij preokupimi i përket së fundmi edhe qëndrimi i përbashkët i 27 Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian në prag të takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE–Shqipëri, qëndrim që ndonëse konfidencial (si zakonisht në raste të tjera) i kapërceu “muret” e Selisë së Unionit dhe publikimi i tij iu drejtua Tiranës. Mesazhi i këtij qëndrimi ishte i qartë dhe i prerë: “BE kujton se është fillimisht përgjegjësia e udhëheqësve shqiptarë të të gjitha krahëve të lënë mënjanë retorikat konfrontuese dhe, duke u përqendruar në axhendën europiane, të punojnë me konstruktivitet në ndërtimin e një konsensusi për reformat e nevojshme”. Njëherazi, në këtë Unioni bënte të ditur, se mirëpriste ngritjen e një prej grupeve të punës për ndryshimin e rregullores së Parlamentit dhe përfundimin e reformës zgjedhore, duke theksuar rëndësinë e plotësimit të qetë të procesit të këtyre reformave bazuar në konsensusin ndërpartiak. Bashkimi Europian nënvizonte gjithashtu që priste t’i nënshtrohej pikërisht këtij procesi edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës, nëpërmjet hedhjes pa mëdyshje të të cilit varet edhe suksesi i përmbushjes së rekomandimeve të tjera që janë renditur në Marrëveshjen e Nëntorit të vitit të kaluar.
Mirëpo, a pati këtu ndonjë reflektim të drejtpërdrejtë gjatë këtyre ditëve që pas publikimit të këtij raporti deri në zhvillimin e takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE – Shqipëri më 15 maj? Me plot gojën mund të thuhet, se ngjanë ato që nuk mund të priteshin as brenda vendit tonë, ngaqë u hëngrën apo u përmbysën pothuajse të gjitha premtimet e dhëna konform opinioneve konsekuente të Brukselit. Konkretisht, pa kaluar veçse pak ditë që nga largimi prej Tiranës i Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, Kryeministri ynë nuk hoqi dorë nga zakoni i tij për t’u nxjerrë gjuhën atyre që u lajkatohet deri në pështirosje. Ai konfirmoi edhe një herë që për President të Republikës do të mbështeste një eksponent të lartë të Partisë që drejton, ndonëse jo shumë kohë më parë ambasadori amerikan (shteti i të cilit është deklaruar mëse një herë që ka të njëjtën gjuhë me BE–në për pothuajse të gjitha çështjet europiane) ishte shprehur, se Kryetari i Shtetit te ne do të zgjidhej që në votimin e parë me 84 vota. Ndërkohë, në kundërshtim të hapur me prioritetet e listuara në Marrëveshjen e Nëntorit të kaluar që përkojnë plotësisht me të gjitha opinionet e shprehura njëzëshëm nga të tërë aleatët euroatlantikë të Shqipërisë, për nevojën e një reforme të thellë në sistemin e Drejtësisë dhe çlirimin e organeve të këtij sistemi nga diktatet politiko–partiake, po ai Kryeministër deklaroi me “megafon”, se këto organe janë të konsoliduara dhe aq vitale sa të japin një drejtësi për t’u admiruar.
Këto dhe të tjera qëndrime të shprehura gjithashtu në mbledhjen e fillimit të kësaj jave të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por edhe të llomotitura përmendësh pakëz më vonë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kulmuan me përfundimin e pasuksesshëm të mandatit të veprimtarisë së grupit bipartizan për reformën zgjedhore, ku palët nuk gjetën konsensusin e nevojshëm, për paku për zgjidhjen e katër problemeve kyçe të kësaj reforme. Dhe, nga ajo çfarë u mor vesh për diskutimet në axhendën e këtij grupi, njëra nga këto palë thjesht u tërhoq prej zotimeve të mëparshme, pa shtuar konkretisht opsionet e veta të devijuara së fundmi, duke ia lënë zgjidhjen seancave komisionare dhe atyre plenare të Parlamentit. Në këtë tërheqje tekanjoze dhe të turpshme nuk mund të mos shquhej edhe roli i Kryeministrit, i cili cenimin e afateve të përmbushjes së kësaj reforme dhe dështimin e supozuar të të gjithë asaj ia dedikonte konformimit të tij dhe forcës politike që drejton me rekomandimin e keqkuptuar të ODIHR-it për aplikimin e pjesshëm të numërimit elektronik. Në një kohë që ishte po ky Kryeministër, i cili jo më larg se një vit më parë trumbetonte nevojën dhe suksesin e këtij lloj numërimi tërësor në zgjedhjet e organeve tona të pushtetit vendor, duke shpalosur modelin e Lituanisë, por që faktikisht e aplikonte numërimin elektronik vetëm në 17 për qind të zonave elektorale të saj.
Kështu, gjithnjë e më qartë po duket dërrma që Kryeministri kërkon t’u vërë edhe vlerësimeve të përbashkëta të 27 vendeve të Bashkimit Europian, sipas të cilave, “arritja e progresit dhe dhënia e rezultateve në reformat kyçe duhen parë si përgjegjësi, por edhe si sukses i ndarë për qeverinë e opozitën”. Por, nëse ai dhe vartësit e trembur prej tij nuk heqin dorë nga metoda e vjetër e kundërthënieve dhe kundërvënieve ndaj atyre që i premtojnë komunitetit ndërkombëtar mbi bazë të dokumenteve jo vetëm diplomatike, por edhe ligjore (të nënshkruara dhe të ratifikuara me bujë të madhe prej tyre), tani Palët e Larta Kontraktuese të Perëndimit që më së fundmi e kanë drejtuar intensivisht vëmendjen nga Shqipëria, për të mos vazhduar të lihet ajo dhe populli i saj të zhytur në batakun e dështimeve dhe arrogancës së një pushteti të grabitur, nuk mund të pajtohen me sfida të tilla, të cilat i kujtojnë gjithkujt atë përrallën e vjetër mbi fatin e një bretkose që donte të bëhej buall. Nën këtë optikë ndoshta duhet shpjeguar gjithçka u tha apo u vendos në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit në Bruksel, ku përveç që iu bë plotësisht e qartë përfaqësuesve të Shqipërisë, se për dhënien asaj statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian kërkohen jo llafe, por gjurmë konkrete të provave të integrimit, nuk u kursye as vënia e afateve të prera, si përfundimi medoemos i reformës zgjedhore deri më 24 maj, pra pikërisht në prag të fillimit të periudhës së përcaktuar në Kushtetutën tonë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Një periudhë kjo që, për hir të interesimit të Uashingtonit dhe Brukselit, me sa duket do të jetë jo fort e ngjeshur me votime të njëpasnjëshme. Përkundër konvulsioneve të Kryeministrit tonë, i cili synon ta shtyjë atë deri në votimin e pestë, varësisht prej numrit të votave që mund t’i sigurojnë atij të ulë në poltronin e Kryetarit të Shtetit jo një përfaqësues të unitetit të popullit, por një ushtar të vetin të bindur, nëpërmjet të cilit të realizojë ëndrrën për instalimin e plotë dhe përfundimtar të neodiktaturës në këtë vend që mund t’i qepet akoma më shumë varfërisë së tejskajshme me kthimin e një izolimi të gjatë nga bota e zhvilluar dhe nga e ardhmja e civilizuar. Është ky Kryeministër dhe vartësit e vet të bindur dhe të trembur prej tij, të cilët shpresojnë që deri në nëntorin e ardhshëm nuk do të ketë kohë të kontrollohet zbatimi i reformave, dhe rrjedhimisht të merret statusi nga Brukseli, duke e përdorur efektin propagandistik të tij në shërbim të synimeve të kastës politike në pushtet, pa iu nënshtruar ajo ndëshkimeve të rrepta prej popullit të vet.
Në këtë hark kohor të shkurtër dhe të ngjeshur me qëndrime antagoniste dhe shumë të dëmshme për fatin e këtij vendi, nuk duket të ndryshojnë konceptim apo këndvështrim në vlerësimet e shpeshta të tyre as disa të ashtuquajtur analistë të abonuar nëpër organe shtypi dhe studio televizive, të cilët “analizojnë” sipas tyre efektshmëritë e mundshme të marifeteve politike dhe të shantazheve banditeske të këtij Kryeministri, duke u mbështetur përherë në hamendje vetjake dhe llogaritje shifrash e procedurash. Hidhjuani ndonjëherë sytë dhe vërjuani ndonjëherë veshin atyre që shkruajnë dhe atyre që thonë ata: llafe, llafe dhe vetëm llafe të shumta, përgjithësisht të njëjtat gjëra, të njëjtat “deduksione” tashmë të dala disi nga moda, të njëjtat korniza brenda vendit, pa i zgjeruar ato në raport me rrethanat e jashtme dhe obligimet, për të cilat më shumë se çdo herë tjetër ka nevojë ky vend, ka nevojë ky popull.
Madje, jashtë këtyre rrethanave dhe obligimeve nuk mund të vazhdojë më tej as karriera politike e Kryeministrit, i cili me deklarimet, me qëndrimet dhe me veprimet e veta tashmë i ngjan personazhit të nja anekdote të paradokohshme. I asaj anekdote, sipas së cilës një parashutist amator kishte vënë bast me instruktorin e tij, se kush do të arrinte i pari në tokë. Dhe, kur pasi ishin hedhur nga avioni kaloi një kohë që amatori nuk e hapte parashutën dhe instruktori i ulërinte ta shtypte sustën përkatëse, i pari ia kthehu se nuk ishte e nevojshme ngaqë i kishin mbetur edhe pak metra nga toka për ta fituar bastin e vënë. Cili do të ishte fundi dhe morali i kësaj shakaje të kripur? Le të na e thonë, le të na e shpjegojnë “analistët” tanë të abonuar të shtypit dhe televizioneve.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›