E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekti, 1500 familje 8 ditë pa drita

 TEPELENE - Rreth 1500 banorë të Komunës së Lopësit në Tepelenë, ndodhen prej tetë ditësh në terr të plotë. Shkatërrimi i linjave të tensionit të lartë në pjesën që lidh këtë zonë me Komunën e Krahësit, ka sjellë këtë situatë. Banorët kërcënojnë se gjendja do të dalë shpejt jashtë kontrollit, nëse qeveria shqiptare nuk merr masa që situata të normalizohet. Kryekomunari Vait Sinaj u shpreh për gazetën "Panorama" se banorët e fsharave Dorëz, Martalloz, Sinanaj, Dhëmblan dhe Matohasanaj, ndjejnë persekutimin më të madh duke përjetuar këtë situatë të pazakontë. Dy kavo të tensionit të lartë që lidhen me fshatrat e Komunës së Lopësit nga zona e Krahësit me një gjatësi gati 300 metra, janë këputur të dielën e kaluar si pasojë e motit të keq me reshje shiu dhe suferinë. Mendohet se terreni i vështirë pasi përveç lartësisë ku ato kalojnë, por edhe lumi Vjosa nën vete, janë arsyet e mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet e OSSH pasi do të duhet një ekip i specializuar nga Tirana. "Gjatë kësaj jave askush nuk është afruar në zonë duke treguar indiferencë të plotë për konsumatorët e energjisë elektrike të cilët janë të rregullt në pagesat mujore", shprehet Sinaj. Ata kërcënojnë se do të bllokojnë rrugën Tepelenë-Vlorë nëse nuk do ketë reagim.                         p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›