E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, dhunë e plumba kundër protestuesve, 5 viktima

 Festa e Ashures u shënua me dhunë dhe viktima në Teheran, ku policia sulmoi protestuesit e opozitës, duke goditur edhe gratë me shkopinj gome në kokë, derisa vendosi të qëllojë edhe me plumba duke i marrë jetën pesë personave. Kjo ishte dita e dytë e përleshjeve të dhunshme në kryeqytetin iranian. Agjencia opozitare “Jaras” ka njoftuar se policia ka hapur zjarr kundër manifestuesve, duke vrarë të paktën katër prej tyre dhe dy të tjerë të plagosur. Edhe agjencia informative “Rahesabz” flet për katër të vdekur, duke konfirmuar se një gazetar i saj ishte dëshmitar i ngjarjes. Omid Habibinia, gazetari që ka arritur të kontaktojë me disa burime në Teheran, edhe pse ishin bllokuar të gjithë linjat celulare dhe adresat e internetit, ka referuar se viktimat ishin pesë. Mes tyre, sipas agjencisë informative “Parlemannews”, ishte edhe nipi i liderit reformist Mir Hossein Moussavi. Sipas kësaj agjencie “Në mesditë, Sayed Ali Moussavi, nipi 35-vjeçar i Mir Hossein Moussavi-t, është goditur në zemër pranë sheshit Enghelab dhe ka vdekur pasi është transportuar në spitalin Ebnesina”. Sipas agjencive opozitare, pesë viktima të tjera janë shënuar në qytetin veriperëndimor, Tabriz. Forcat e sigurisë i mohojnë këto raportime.  “Deri tani ne nuk kemi asnjë njoftim për viktima”, tha për agjencinë Isna shefi i policisë së Teheranit, Azizollah Rajabzadeh. Por më pas ka qenë pikërisht televizioni shtetëror i cili ka raportuar për disa të vdekur, mes të cilëve edhe nipi i liderit opozitar. Televizioni iranian “Press tv” ka konfirmuar se katër manifestues janë vrarë në Teheran nga “të panjohur”. Policia ka mohuar çdo përfshirje në këtë krim duke sqaruar se policët që kishin dalë në shërbim për të kontrolluar protestuesit “nuk ishin pajisur me armë zjarri”. Një dëshmitar ka treguar për BBC se ka parë makinë policie të shtypte me dashje një protestues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›