Makinat, "shpëtojnë" prokurorët
Trazhgim SokolajVendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit për reduktimin e makinave zyrtare në shërbim të administratës në rastin e gjyqtarëve, pritet "të shpëtojë" edhe prokurorinë. Gjykata Kushtetuese vendosi në mesin e muajit dhjetor të pezullojë deri në dhënien e një vendimi, ligjin për heqjen e makinave në lidhje me gjyqtarët. Vendimi u dha pasi Unioni i Gjyqtarëve depozitoi në gjykatë një padi kundër ligjit që u miratua në Parlament në muajt e fundit të këtij viti. Sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese pezulloi heqjen e makinave për gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave, deri në shqyrtimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën. Më tej gjykata vendosi të vazhdojë shqyrtimin e padisë për të dhënë një vendim pas shqyrtimit të çështjes. Pezullimi i ligjit në raport me gjykatat dhe gjyqtarët pritet tu shkojë në ndihmë edhe prokurorëve. Kjo për shkak se ligji, në bazë të hierarkisë, barazon në atribute prokurorët me gjyqtarët. Sipas ligjeve në fuqi, prokurori i Shkallës së Parë, ka të njëjtat atribute me gjykatësin e Shkallës së Parë, prokurori i Apelit ka të njëjtat atribute me gjyqtarët e apelit dhe po kështu prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme barazohen nga ligji në atribute me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Për shkak të këtij njësimi të sanksionuar nga një ligj tjetër i miratuar më parë, duket se përfaqësuesit e Prokurorisë do t’i shpëtojnë heqjes apo reduktimit të automjeteve zyrtare, që mbahen me shpenzimet e shtetit. Ligji parashikonte heqjen e makinave zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës, përjashtuar Presidentin, Kryeministrin, ministrat, kryetaren e Kuvendit, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, si dhe prokurorin e Përgjithshëm. Nga heqja e makinave rrezikoheshin drejtuesit e prokurorive dhe vetë prokurorët që në shumicën e rasteve duhet të shkojnë në vendngjarjet e krimeve apo të paraqiten në gjykata për mbrojtjen e akuzës në gjyq. Unioni i Gjyqtarëve ka paditur në Kushtetuese ligjin në fjalë duke kërkuar: "Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenit 3, nenit 4 të ligjit nr.10160, datë 15.10.2009 "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë" porsa përfshijnë në fushën e zbatimit të tyre funksionarët publikë vijues: Kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave të apelit dhe të shkallës së parë.