I bllokuan arin në ‘56, humb gjyqin në Strasburg
TIRANE - Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar pak ditë më parë kërkesën e një shqiptari që shteti komunist i ka konfiskuar pasurinë në vitin 1956. Vendimi i Gjykatës Evropiane të të drejtave të Njeriut është marrë në muajin shtator por është publikuar vetëm pak ditë më parë. Sipas Gjykatës së Strasburgut aplikanti, Ali Telhai ka lindur në vitin 1945 dhe aktualisht jeton në Berat. Më 1956 ish-komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Përmetit ka vendosur për konfiskimin e pasurive të luajtshme e familjes së aplikantit, e cila përbëhej nga pasuri blegtorale (bagëti) dhe materiale të tjera të tilla si ari, bakri, argjendi dhe kallaji. Në fund të sundimit komunist, aplikanti i ka dërguar letra të shumta të institucioneve të shtetit për të kërkuar kompensim për pronat e konfiskuara të familjes së tij. Më 29 gusht 1996 Ministria e Financave e informoi se ministri ishte autoriteti përgjegjës që do vendoste për procedurat e kompensimit të ish të persekutuarve politikisht që u ishin shpronësuar pasuritë e luajtshme. Me një përgjigje të 9 qershorit 1998 Ministria e Financave e ka informuar Telhain se informacioni ai kishte paraqitur nuk ishte i plotë dhe se ata nuk ishin në gjendje për të shqyrtuar pretendimet e tij ose të përcaktonin një mjet pagese. Në një datë të papërcaktuar Telhai ka bërë një kërkesë jozyrtare në Gjykatën e Përmetit. Më 18 janar 2006 Kryetari i Gjykatës së Përmetit e ka informuar atë se së shpejti pritej të miratohej një ligj të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave të luajtshme. Nisur nga kjo Gjykata e Strasburgut ka këshilluar Telhain se nëse ai dëshironte duhet të ngrejë një padi civile, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile. fa.ma.