Shqipëria në Evropë, koha për kompromis politik, historik
Edmond Panariti Shqipëria në Evropë, nuk është vetëm kauza politike e pozitës dhe as e opozitës, ajo është mbi të gjitha kauza e popullit shqiptar. Ajo ishte deviza e lëvizjes mbarëpopullore të fundit të viteve ‘80-të që përmbysi regjimin më të egër dhe më totalitar të kontinentit. “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte apeli mbarë popullor, ishte “vokacioni” plebishitar për të shkallmuar kapakun e rëndë të “sarkofagut” izolacionist komunist, i cili burgosi për 40 vite me radhë lirinë e shprehjes dhe të veprimit, por që nuk mund të prangoste kurrsesi shpirtin properëndimor dhe ëndrrën rilindase evropiane të popullit tonë.Shqipëria në Bashkimin Evropian përbën një mandat që populli shqiptar i ka deleguar politikës shqiptare të majtë dhe të djathtë dhe që kapërcen mbi çdo lloj konflikti apo ngërçi politik. Për rrjedhojë, çdo përpjekje për të mbajtur peng përmbushjen e këtij mandati, ngarkon me një përgjegjësi të rëndë historike cilindo faktor politik apo instrumenti mediatik, që promovon krijim të pengesave dhe të artefakteve në procesin e integrimit.Shqipëria në Evropë nuk është vetëm shtegu im dhe as vetëm udha jote, ajo është rruga jonë.Politika shqiptare sot e ka më të nevojshme se kurrë arritjen e një “kompromisi historik”, vendosjen sa më parë të dialogut dhe të urave të bashkëpunimit midis forcave politike, jashtë pragmatizmit dhe interesave elektorale.“Zini vendet në Kuvendin e Shqipërisë, o parlamentarë që nuk e përfillni mandatimin tonë, oshtin zëri i burrave, grave, të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë”. Justifikoni besimin tonë, të shprehur me anë të votës. Punoni, për miratimin e ligjeve, përmbushjen e kritereve dhe vendosjen e standardeve, në mënyrë që të thyejmë sa më parë murin ndarës me Evropën.Përpiquni maksimalisht për rivendosjen e dinjitetit tonë njerëzor dhe kombëtar, në mes të bashkësisë evropiane.Na bëni të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë dhe qytetarë të Evropës dhe jo një bashkësi e segreguar dhe e margjinalizuar në juglindje të Ballkanit.Mos e ushqeni me obstruksionizëm bizantin dhe bojkot bolshevik “dilemën” e kancelarive evropiane për përfshirjen ose jo të shpejtë të Shqipërisë në bashkësinë evropiane.Politika ka rastin e papërsëritshëm për të dëshmuar moral kombëtar, përgjegjësi atdhetare, në një moment delikat dhe shumë kritik historik për të gjithë ne. Shqipëria, po bëhet gati të hedhë hapin vendimtar drejt finales së ëndrrës së saj shumëshekullore. Lëreni atë ta hedhë këtë hap. Mos ia bllokoni rrugën.