E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Taksat e ulëta të përshtatshme për Shqipërinë

14/11/2011  Debati, shqiptarët më mirë tatimi i sheshtë apo tatimi progresiv?

Prej më shumë se 4 vjetësh në vendin tonë të gjithë individët janë të barabartë para autoriteteve tatimore, sa i përket pagesës së tatimit mbi pagën. Edhe ata që marrin një pagë minimale edhe ata që marrin një pagë të lartë paguajnë një përqindje të njëjtë. Kështu, deri në vitin 2007 individët dhe kompanitë taksoheshin progresivisht, që do të thotë se ata që merrnin një pagë më të lartë paguanin më tepër taksa për shtetin. Që prej vitit 2008, falë një politikë fiskale, e cilësuar si taksimi i sheshtë, qytetarët dhe bizneset paguajnë një taksë për të ardhurat e tyre prej 10 për qind. Debati i ngjallur kohët e fundit pas propozimit të Partisë Socialiste për ndryshimin e kësaj mënyre taksimi, ka sjellë në vëmendjen e publikut opinione të shumëllojshme. Ka nga ata që shprehen skeptikë për mënyrën e re të propozuar për të rikthyer taksimin më të lartë për ata që fitojnë më shumë, por ka edhe nga ata që e përkrahin, duke dhënë argumente mbi nevojën për të bërë diferencimin mes kategorive të individëve dhe bizneseve. Gjithsesi, ekspertët e ekonomisë pohojnë njëzëri se ishte dhe është akoma kjo politikë që e mban krizën botërore larg vërshimit të saj drejt Shqipërisë. Sipas tyre,

Ekspertët analizojnë efektet

Deri në vitin 2007 tatimi ishte progresiv, në bazë të të ardhurave. Çdo qytetar që kishte një pagë më të lartë, paguante më tepër taksa për buxhetin e shtetit. Kështu, për një pagë prej 150 mijë lekësh paguhej një tatim prej më tepër se 22 mijë, ndërsa sot ky qytetar paguan 10 për qind të kësaj shume, pra 15 mijë lekë. Taksimi progresiv prekte më tepër pagat e administratës, shuma e të cilave deklarohej e plotë. Ekspertët e ekonomisë ndalen tek rëndësia e mos ndryshimit të tatimit mbi të ardhurat e qytetarëve. Sipas ekspertit kontabël, Prof. as. dr. Agim Binaj në fazën aktuale në të cilën ndodhet Shqipërisë, nuk nevojitet një ndryshim i sistemit të taksimit të individëve apo kompanive. Ajo që duhet është forcimi i kontrollit dhe administrimit të taksave nga institucionet, në një kohë kur vetë këto të fundit e dinë shumë mirë se informaliteti fiskal vazhdon të jetë mjaft i përhapur dhe rreth 40 për qind e të ardhurave nuk derdhen në buxhetin e shtetit. “Ekonomia informale dhe evazioni do të reduktohen dhe lufta kundër tyre do të përmirësohet kur të ndërtohet një legjislacion i përshtatshëm dhe të mbahet një dokumentim kontabël real dhe bashkëkohor”, - shprehet Binaj. Ai nënvizon se politika e taksave të ulëta e ka ndihmuar vendin tonë që të ketë këtë performancë ekonomike. “Shqipëria nuk futet te vendet me taksa të larta dhe për shkak të nivelit të tyre të pranueshëm ato kanë ndihmuar ekonominë që të ketë këtë performancë”, - shprehet Binaj. Sipas tij, ajo që nevojitet është vetëm forcimi i administrimit të administratës shtetërore e cila paguhet nga taksat e shqiptarëve dhe nuk ka nevojë për të ndryshuar nivelin e taksave. Ekspertët mendojnë se taksa e sheshtë është shumë e rëndësishme në vendin tonë, ku informaliteti është ende shumë i lartë dhe i konsoliduar, për shkak edhe të mentalitetit apo kulturës së përhapur në popull. Kultura e pagesës së taksave është një nga mangësitë më të mëdha dhe njëkohësisht një prej drejtimeve ku qeveria ka synuar të shtojë përpjekjet duke rritur bazën paguese. Ekspertët janë të mendimit se taksimi i sheshtë për një qytetar apo për një biznes është një politikë më e zbutur në krahasim me një aplikimin me forcë të një taksimi progresiv, i cili mund të sillte një tjetër shmangie. Eksperti Binaj sjell në vëmendje politikën e ndjekur për vendosjen e kasave fiskale, e cila edhe pse ka më shumë se një vit që janë vendosur në të gjitha bizneset, nuk po zbatohen siç duhet as nga ana e kërkesës së qytetarëve dhe aq më pak nga ana e bizneseve. Për këtë do të duhej që vetë shteti të synonte lehtësimin e bizneseve duke synuar formalizimin dhe përdorimin e kasave të paktën për një periudhë 2-vjeçare, me kushtin që për çdo shërbim apo blerje të kishte një pasqyrim real të xhiros.

Ndryshimi sjell evazion

Ekspertët e shifrave tregojnë se rritja e taksës, apo qoftë ndryshimi i pjesor i parimit të taksës së sheshtë, do të rriste evazionin, do të cenonte të ardhurat individuale e për pasojë, konsumi, i cili sipas edhe të dhënave të fundit është pakësuar, do të zvogëlohej edhe më. Në këtë pikë nevoja më e madhe është të administrohen si duhet taksat, me qëllim që të grumbullohen sa më tepër të ardhura në buxhet. Por, jo të ndryshohen ato. Sipas ekspertit të ekonomisë Enea Janko nuk duhet të ketë ndryshim të taksave të qytetarëve. “Nuk duhet të ndryshojnë apo të rritet tatimi mbi të ardhurat personale të individëve. Duhet të zbatohet kjo politikë më taksa të ulëta edhe për disa vite. Qytetarët shqiptarë duhet të inspirohen që të akumulojnë të ardhura, me qëllim që të shtojnë konsumin.” Në bazë të sqarimeve që japin ekspertët, kalimi i taksave nga të ulëta në atë progresive ka të bëjë ndoshta me atë politikë që kërkon të marrë më tepër të ardhura të pasurve dhe t’ua shpërndajë njerëzve që janë në nevojë. Aktualisht qeveria është duke përforcuar kapitalin dhe rritur investimet në vend duke ndjekur politikën e taksave të ulëta në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Tatimi mbi të ardhurat

Për vitin aktual raportohet se të ardhurat e derdhura në buxhetin e shtetit nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 20.5 miliardë lekë për periudhën janar-shtator, me rritje 2.9 për qind në krahasim me 9-mujorin e një viti më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ky realizim është sipas planit të rishikuar për vitin 2011 në masën 96.9 për qind. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për bizneset arritën rreth 15.3 miliardë lekë nga 13 miliardë që u mblodhën një vit më parë, me rritje prej 16.9 për qind sipas planit të rishikuar.

Parashikimi i të ardhurave

Projektbuxheti i vitit 2012 parashikon se të ardhurat në total për tatim fitimin do të jenë 21.9 miliardë, me një rritje prej 6.8 për qind ndaj të pritshmit për vitin 2011. Sipas analizën në relacionin e projektbuxhetit, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arrijnë në 1.6 për qind. Parashikimi për këtë zë sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave është bazuar në parashikimin për rritjen e bazës së tatueshme e lidhur me ecurinë e aktivitetit ekonomik, si dhe përmirësimet e pritshme në aspektin administrativ.

Efektet e krizës

Efektet e krizës globale kanë qenë të ndjeshme në ekonominë e vendit tonë, sa i përket të ardhurave të derdhura në buxhetin e shtetit. Gjithsesi, këto efekte kanë qenë të moderuara. Të ardhurat e buxhetit të shtetit, në linjë me ecurinë e ekonomisë janë prekur nga efektet negative të krizës globale, por sipas analizës së Ministrisë së Financave sërish ato kanë regjistruar rritje pozitive përgjatë periudhës 2009 – 2011. Performanca e tyre vlerësohet të ketë qenë e kënaqshme krahasuar me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Gjatë viteve 2009–2011 të ardhurat e buxhetit u rritën mesatarisht 5.2% nga viti në vit, duke performuar konsiderueshëm mbi rritjen mesatare të të ardhurave të vendeve të EQL prej 2.9%.

Kjo taksë është promocion për investitorët e huaj

Bizneset dhe kompanitë kundër

rritjes së taksës së sheshtë

E njëjta situatë ka funksionuar edhe për kompanitë. Tatimi mbi fitimin e tyre ishte në një nivel nga 30 për qind deri në 20 për qind. Brenda mandatit të parë të qeverisë Berisha në vitin 2007 u vendos që për këto taksa të zbatohej niveli i sheshtë i taksimit prej 10 për qind. Edhe pse FMN-ja sërish rekomandoi dy ditë më parë një rritje për nivelin e taksave për të synuar një normë të lartë të rritjes ekonomike gjatë vitit të ardhshëm, ekspertët janë të mendimit se nuk është ende koha për të ndryshuar politikën e taksave të ulëta, e cila josh gjithmonë e më tepër investitorët e huaj. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, është shprehur kundër ndryshimit të taksës së sheshtë. “Ne jemi kundër çdo rritjeje, e cila ndikon në lëvizjen e taksës së sheshtë që është 10 për qind. Ne jemi kundër çdo tatimi progresiv. Ne e kemi thënë se edhe fryma e Dhomës së Tregtisë është kundër çdo rritjeje për të vetmen arsye, pasi Shqipëria sot e reklamon si promocionin e saj më të mirë për administratorët e huaj, taksën e sheshtë”, - është shprehur Jaka. Ekspertët e financave pohojnë se kjo taksë dhe investimet e larta publike mbajtën larg krizën e vitit 2008, duke i rezervuar vendit një rritje të lartë ekonomike. Kjo dëshmi përforcohet edhe në deklaratat e përfaqësuesve të qeverisë. “Duhet përmendur një tërësi reformash në ekonominë shqiptare, të marra në periudhën përpara krizës ekonomike globale, reforma strukturore të cilat synonin mbajtjen e një ritmi tepër të lartë të zhvillimit të ekonomisë së vendit, ritëm i cili u demonstrua dhe efekte që u vërejtën në vitin 2008, kur ekonomia shqiptare u rrit me 8%, duke qenë dukshëm mbi nivelin mesatar historik, të ritmeve të rritjes të ekonomisë së vendit tonë, dhe dukshëm mbi nivelin më të lartë të arritur në hapësirën e Evropës Qendrore dhe Lindore. Dukshëm performanca e administratës fiskale dhe ekonomisë ka qenë pozitive edhe në mundësitë për të ofruar të ardhura financiare për buxhetin e shtetit dhe për të mënjanuar efektet që vinin nga presionet e krizës ekonomike globale, sidomos në tregun e produkteve ushqimore dhe që vazhdojnë të mbeten të larta”, - është shprehur ministri Ridvan Bode gjatë prezantimit të buxhetit të shtetit 2012 në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›