E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti i llogarisë korente të vendit arrin në 1,2 miliardë, thellohet në 17% të GDP

Deficiti i llogarisë korente në Shqipëri është thelluar dhe ka shkuar në 11,7 për qind të prodhimit kombëtar bruto gjatë pjesës së parë të këtij viti. Deficiti i llogarisë korente ose llogaria korente është një prej treguesve më të rëndësishëm ekonomikë të një vendi dhe tregon kahjen se nga ecën ekonomia. Llogaria korente është e përbërë nga deficiti tregtar, të ardhurat nga emigrantët, pagat, interesat apo kapitali dhe fitimi i ndërmarrjeve. Në llogarinë korente përfshihet gjithashtu edhe totali i transfertave të parave dhe të kapitaleve që kryen (diferenca e tyre). Kjo llogari pra gjatë pjesë së parë të këtij viti është thelluar, thotë Banka e Shqipërisë dhe ka shkuar në rreth 1,2 miliardë dollarë. Të dhëna të Bankës së Shqipërisë thonë se, pavarësisht këtij treguesi të rënduar ekonomik, treguesit e tjerë kanë qenë të mirë. Thellimi i deficitit të llogarisë korente ka ardhur më së shumti për shkak të thellimit të deficitit tregtar, ku importet në nivel të lartë bëjnë diferencën e madhe. Veç deficitit tregtar, në llogarinë korente kanë ndikuar edhe daljet e mëdha të parasë jashtë vendit, si edhe rënia e fitimit të biznesit. Në përbërësit e llogarisë korente duket se ka mbetur i paprekur vetëm ai i pagave, pasi në pjesën e parë të vitit nuk ka patur raportime për ulje të pagave, pavarësisht rritjes së kostos së jetës dhe rënies së fuqisë së pagave. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë tha pak ditë më parë se megjithatë aktiviteti i buxhetit gjatë 5 muajve të parë të vitit kishte balancë pozitive, e cila ka ardhur si rezultat i grumbullimit të të ardhurave fiskale më shumë se sa ishin planifikuar dhe realizimit më të ulët të shpenzimeve. Pavarësisht këtij zhvillimi të mirë Banka Qendrore tha se negative ka qenë gjendja e realizmit të investimeve. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar të mbushur me rreziqe ekonominë e vendit tonë, për shkak të disa problemeve makroekonomike, siç janë deficiti i brendshëm buxhetor, stoku i borxhit dhe gjendja financiare e korporatës së energjisë. Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se huamarrja për investimet në infrastrukturë është një rrezik tjetër i pranishëm. Ajo që i trembet më shumë Fondi Monetar Ndërkombëtar është rënia e potencialit të taksapaguesit, të biznesit dhe në tërësi e tërë ekonomisë së vendit. Kjo do ta përkeqësonte shumë deficitin e brendshëm të buxhetit dhe në gjendjen kur llogaria korente është e disbalancuar, atëherë do të kishte probleme të mëdha me çmimet dhe ekonominë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›