Haga kërkon dënimin e ish-presidentit serb
Prokurori Tom Hanis tha se gjatë gjykimit, që ka filluar para dy vitesh, janë paraqitur prova të mjaftueshme për krimin e organizuar me qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe vendosjen e dominimit të përjetshëm serb. Pala serbe ka synuar që largimin e shqiptarëve të Kosovës ta arrijë përmes një fushate sistematike të terrorit dhe dhunës masive kundër shqiptarëve. Millutinoviç dhe të tjerët akuzohen për dëbimin e rreth 800.000 shqiptarëve, vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm, keqtrajtimet seksuale dhe dhunime masive si dhe plaçkitjen dhe shkatërrimin e vendbanimeve shqiptare dhe objekteve fetare.
Prokuroria pohon se planet e Serbisë për spastrimet etnike janë zhvilluar për një kohë të gjatë, pasi më parë dështuan planet për realizimin e qëllimeve përmes heqjes së autonomisë apo shtimit të reprezaljeve. Hanis citoi edhe gjeneralin gjerman Klaus Nauman, i cili gjatë procesit kundër Millosheviçit dëshmoi se ish - presidenti i Serbisë jozyrtarisht kishte paralajmëruar se në pranverën e vitit 1999 do t'i mblidhte shqiptarët e Kosovës dhe do t'i vriste si dikur në vitin 1946 në Drenicë. Këto krime të paralajmëruara prej Millosheviçit i kanë kryer ushtria, policia dhe forcat tjera serbe, në mars dhe prill të vitit 1999.
Gjenerali Pavkoviç në kohën e procesit kundër Millosheviçit pohonte se përgjegjësinë për zhvillimet atje e kishin ata vetë. “Millosheviç nuk më ka thirrur kurrë të më urdhërojë të kryejë ndonjë vepër për të cilën akuzohet në Hagë. Ai më thërriste çdo të dytën ditë dhe më pyeste për moralin dhe gjendjen në ushtri, më ofronte ndihma dhe sugjeronte të mos shëtisim nëpër Kosovë se do të na vrasin. Ndërkohë që përgjegjësia komanduese në sistemin tonë juridik nuk ekziston.”
Mirëpo prokuroria pohon se ka nxjerrë prova të mjaftueshme për të dëshmuar se të gjitha veprimet e ushtrisë, policisë dhe forcave tjera, janë komanduar prej të akuzuarve që ishin në një shtab të përbashkët, i cili komandohej prej të akuzuarve.
Prokuroria hodhi poshtë pohimet e mbrojtjes se eksodi i shqiptarëve ishte pasojë e bombardimeve të NATO-s. Fushata serbe realizohej në Kosovë përmes një modeli të përpunuar mirë: Së pari ushtria garantonte vendbanimet shqiptare, pastaj futej policia dhe i ndiqte, i bastiste, plaçkiste dhe digjte shtëpitë, ndërkohë që banorët dëboheshin apo vriteshin. Gjatë kësaj fushate ka pasur edhe vrasje masive të familjeve, civilëve dhe fëmijëve, siç ishin rastet e familjeve Berisha apo Çaka. Si dëshmi konkrete e krimeve masive u theksua edhe vrasja dhe transportimi i qindra të vrarëve shqiptarë në afërsi të Beogradit. Si dëshmi kundër ish-presidentit të Serbisë, Millan Millutinoviç u paraqitën edhe obstruksionet e tij gjatë konferencës paqësore në Rambuje. Prokuroria kërkon që Millutinoviç dhe pesë bashkëpunëtorët e tij të dënohen në kohëzgjatje prej 20 vjetësh e deri në burgim të përjetshëm. Ndërkohë që mbrojtja është e mendimit se pala kundërshtare nuk ka paraqitur dëshmitë e duhura për dënimin e të akuzuarve. Avokatët pohojnë se Millutinoviç dhe Shainoviç nuk kanë komanduar me forcat ushtarake dhe policore, por janë angazhuar për zgjidhjen e problemeve me mjete politike. Fjala e mbrojtjes përfundoi dje, ndërsa vendimi do të merret më vonë.