Berishës i këndojnë në Tepelenë këngën e Ylli Bakës, “Tre hajdutët”
Telashe pa fund kanë shoqëruar dje turin e kryeministrit Berisha në Tepelenë, ku gjendej për të përuruar rrugën Gjirokastër-Tepelenë, nisur në kohën kur në pushtet ishte Fatos Nano dhe përfunduar pas tre vjetësh. Rruga është ndërtuar me një cilësi të lartë nga një kompani greko-qipriote dhe ka përmirësuar ndjeshëm standardin e komunikimit në Jug të Shqipërisë, sidomos në zonën Sarandë-Tepelenë. Por telashet nisën me përgatitjet për vendin ku do të bëhej ceremonia. Flamuri, miku i “Antenës”, që mbulon dhe organizimin në terren të takimeve të kryeministrit, kishte porositur orkestrën. Orkestra e njohur e sazeve të Tepelenës nga ana tjetër nuk kishte repertor të caktuar se çfarë duhet të këndonte. Në minutat e fundit pyesin Flamurin se çfarë të këndonin, pasi kryeministri po afrohej, ishte në Tepelenë dhe duhej krijuar atmosfera.
- Një këngë këtej nga Jugu, - i tha Flamuri, - ç’të jetë. Ndonjë të re që nuk është shumë e njohur, që të duket enkas për kryeministrin.
- Marrim atë të Ylli Bakës, - tha i pari sazeve, - atë që nxori javën që shkoi për kaçakët.
Ashtu u bë. Nisën sazet dhe kënga e famshme më e re e Ylli Bakës, këngëtarit popullor më të njohur në Tepelenë. Flamuri, që nuk i kuptoi në fillim fjalët, filloi ta fërshëllente gjithë qejf. Pastaj, kur u përsërit dhe pa disa që po qeshnin, i vuri veshin tekstit. Teksti në fakt ishte i tmerrshëm.
Tre hajdutët, djem azganë
Morën rrugën për në stan
Vodhën cjep e vodhën desh
Natën, futur në thes ....
- Ndaleni mo, ç’është kjo këngë, - i tha Flamuri, - se po vjen doktori. Ku e gjetët ketë këngë aman? - iu drejtua kryetarit të PD, Tepelenë.
- Po ku di unë, - tha ai, - ti vetë u the një të fundit, këtë paskan të fundit këta.
Sazet vazhdonin për qejf të tyre dhe njerëzit po ngroheshin nga kënga, ndërkohë që Flamuri i shkretë po përpiqej t’ua ndalte.
Eskorta po afrohej drejt mikrofonit dhe Flamuri po përpiqej të ndalte muzikën, po nuk ishte e mundur. E mbaruan që e mbaruan. I nxehur dhe i skuqur në fytyrë nga skandali, largoi pak kamerat dhe filloi t’i ulërijë orkestrës.
- Mo ta dëgjoj më këtë këngë, plehra! Kush ua ka dhënë këtë ju në program?
- Vetë na the një të fundit, - i tha i pari i orkestrës. - Na thuaj çfarë do këndojmë ne.
- Një këngë optimiste nuk keni ju? - tha. - Vetëm për hajdutë paskeni këngë?
- Kemi, - tha ai, - dhe ia nisi këngës tjetër të famshme të Ylli Bakës:
Vetë i madhi e bekoi
Lemë o lemë, o zot të rroj
Këtu Flamuri u kënaq dhe u shtensionua i tëri.
Filloi ceremonia dhe Berisha nuk kuptoi gjë nga incidenti. Pasi mbaroi fjalimin dhe i bëri thirrje opozitës të vizitojë Jugun se si po ndryshon, Berisha përgëzoi Flamurin për organizimin.
- Më pëlqeu shumë melodia e asaj këngës që mbaroi, kur erdhëm ne, - tha. - Shumë e bukur është.
- Jo, jo, kjo e dyta është më e mirë, - tha Flamuri. - Këtë e kanë bërë enkas për ne, për turizmin shqiptar, për arritjet. Flet për kënaqësinë që është të shëtisësh Shqipërinë. Kam fol unë me atë këngëtarin, e ka bërë enkas për ne.
- Ashtu, bravo, - i thotë Berisha. - Po na vë të dëgjojmë pak të parën. Sazexhinjtë që ishin gati me sy e veshë, ia nisën vetë:
Tre hajdutët, djem azganë
Morën rrugën për në stan
Vodhën cjep e vodhën desh
Natën, futur në thes ....
- Qenka për hajdutë, - tha Berisha duke qeshur.
- Të thashë doktor që nuk është për ne, kjo e dyta është për ne, është bërë kastile.
Berisha afrohet dhe pyet sazexhiun.
- Kur janë bërë këto këngë?
- Kjo “lemë o lemë, o zot të rroj”, ka nja katër vjet, - i tha sazexhiu, - kurse kjo për “tri hajdutët” këtë javë është bërë. E ka qarë Ylli këtë doktor. Ta dëgjosh, lot të ikin.
E pashë, e pashë, - i tha Berisha. - Dhe thotë opozita pse s’lufton korrupsionin. Këtu populli iu këndon hajdutëve, i ka idhull, këta më kërkojnë të më ndajnë nga populli. Po s’ka burrë që e ndan qeverinë time nga populli.