E Diel, 1 Nëntor 2026

Tradhtari Jeremiç!

Duket se e gjithë ofensiva diplomatike serbe për të stopuar njohjen e pavarësisë së Kosovës ka shpërthyer si një flluskë sapuni të lirë turk, duke e hedhur poshtë pretendimin shekullor serb mbi Kosovën. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ndoshta ka bërë deklaratën më të fuqishme, e cila do ta çimentonte pavarësinë e Republikës së Kosovës. Jeremiç ka thënë se Serbia edhe mund ta njohë Kosovën shtet të pavarur.

Serbia mund ta njohë republikën e Kosovës si shtet të pavarur, nëse Gjykata Ndërkombëtare vendos se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt ka qenë një veprim ligjor njofton gazeta serbe “Kurir” duke iu referuar agjencisë holandeze të lajmeve ANP.

Duket e pabesueshme, por është vërtetë - kjo deklaratë ka dalë nga goja e Vuk Jeremiç, ministrit të Jashtëm serb në një intervistë që ai e ka dhënë për ANP gjatë vizitës së 15 gushtit në Nju-Jork.

“Serbia do ta njihte pavarësinë provincës së saj – Kosovës, nëse Gjykata Ndërkombëtare e konfirmon shpalljen e pavarësisë së njëanshme të 17 shkurtit– si ligjore”, - ka thënë Jeremiç për agjencinë holandeze të lajmeve ANP.

Ky lajm vazhdon të jetë i publikuar në webfaqen e ANP, ndërkohë që ende askush nga Serbia nuk e ka demantuar këtë lajm, sqaron “Kurir”.

Mark Fiser, redaktor i lajmeve në ANP, tregon për “Kurir” se lajmi se Serbia është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës është publikuar para tri ditësh dhe se deri tani ende askush nga Serbia nuk e ka përgënjeshtruar këtë lajm. Fiser për median serbe tha se lajmi është autentik dhe se deri tani as ministria e Jashtme serbe por as ambasada serbe në Holandë nuk ka kërkuar ta demantojë lajmin në fjalë.

“Lajmi është autentik ndërsa këtë lajm e kanë edhe mediat gjermane dhe franceze”, - tha redaktori i ANP dhe konfirmoi edhe një herë se thonjëzat e vendosura tek titulli “Serbia do e njihte pavarësinë e Kosovës” do të thonë se këto janë fjalët autentike të ministrit të Jashtëm serb.

Mirëpo, sipas gazetës “Kurir”, në kabinetin e ministrit të Jashtëm serb thonë se Jeremiç gjatë prezantimit të tij nuk e ka thënë këtë deklaratë.

“Në konferencën në fjalë kanë qenë mbi 15 gazetarë dhe asnjëri prej tyre nuk e ka publikuar këtë lajm”, - thuhet në sqarimin e lëshuar nga kabineti i Jeremiç. Ata po ashtu përsëriten qëndrimin e njohur serb se Serbia kurrë nuk do e njohë Kosovën.

Por kabineti i ministrit të jashtëm serb nuk dha shpjegime se përse nuk është kërkuar largimi i këtij lajmi nga webfaqja e ANP.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›