E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti rrezikon rimëkëmbjen ekonomike

Presidenti amerikan, Barack Obama, i shfrytëzoi emisionet e tij të rregullta javore në radio dhe në internet për t'ia rikujtuar popullit amerikan propozimet që ai e paraqiti javën e kaluar për përmirësimin e tregut të punës dhe zbutjen e deficitit që tani është në 1.4 trilionë dollarë.

Shtëpia e Bardhë tha se Obama akoma i përmbahet premtimit të tij të mëhershëm për ta përgjysmuar deficitin, deri nga fundi i mandatit të tij, më 2013.

Por, në emisionin e tij, ai foli vetëm për një lloj “kontrolli” të deficitit. Të hënën, Obama paraqet projektbuxhetin për vitin financiar 2011, që fillon më 1 tetor. Ai përsëriti se do ta ndalojë financimin e disa programeve të brendshme.

Një studim nga “Research Centre” (Qendra e Hulumtimit) që u publikua këtë javë tregoi se 60% e atyre që morën pjesë në një anketë, mendojnë se zvogëlimi i deficitit duhet të jetë prioritar për 2010. Ky numër është rritur krahasuar me vitin 2009, kur vetëm 53% e ndanin këtë mendim.

Obama përsëriti thirrjen për një ngrirje të shpenzimeve dhe theksoi se administrata e tij dëshiron të sigurohet që sa herë të paguajë diçka, të zbulojë ku duhet të bëhen kursime.

"Ne do të rrisim investimet në gjërat për të cilat kemi nevojë, si krijimi i vendeve të punës dhe uljen taksave për klasën e mesme", u shpreh presidenti.

"Ndërsa do të ulim shpenzimet për gjërat që nuk kemi nevojë, si taksat për kompanitë e mëdha të naftës dhe menaxherët e fondeve të investimeve si dhe për programet që nuk janë efektive".

Ai siguroi që shpenzimet që kanë lidhje me kujdesin shëndetësor dhe sigurimet shoqërore nuk do të preken, por do të eliminohen të hyrat kapitale nga taksat që kanë të bëjnë me investimet në bizneset e vogla. (Reuters)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›