E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deformimet tek perimet, eksperti: Bioterrorizëm

KUKËS -Bioterrorizëm në Kukës. Lufta për mbijetesë ka nxitur fermerët e këtij rrethi të shkelin rregullat e tregut, duke ofruar perime me ndryshime gjenetike që rrezikojnë seriozisht jetën e konsumatorëve. Alarmi u dha dje nga specialistë të fushës së bujqësisë.

Sipas tyre që prej dy javësh në tregun e fruta-perimeve të qytetit verilindor po tregtohen perime sezonale që jo vetëm nuk janë cilësore, por që dyshohet të kenë përmbajtje të lartë të lëndëve kimike. Mësohet se disa fermerë kanë kultivuar në serat e tyre lloje të ndryshme perimesh, të cilat rezultojnë me deformime. Ekspertët pohojnë se këto deformime, janë vërejtur kryesisht tek domatja, speci dhe trangulli. Ata sqarojnë se deformime të tilla marrin shkas nga disa faktorë, ku më kryesori është përdorimi i tepruar dhe me orientim të gabuar të pesticideve dhe lëndëve të ndryshme kimike. Por nuk përjashtohet mundësia që në deformimin e perimeve të kenë ndikuar dhe tymrat e krijuara nga zjarret në masivet si dhe rrezatimi radioaktiv i mineraleve.

Specialisti i bujqësisë, Sefë Cengu thotë se stimulimi i pjekjes para kohe të perimeve dhe ndërhyrja në gjenetikën e tyre ka shkaktuar jo pak probleme për shëndetin e shumë personave, ndaj institucionet përgjegjëse duhet të ushtrojnë kontrolle rigoroze për të parandaluar veprime të tilla. Ai shprehet se për të luftuar shkaqet e bioterrorizmit duhet të stimulohet prodhimi bio si dhe të investohet në teknologjinë e kontrollit laboratorik. "Hedhja në treg e perimeve që kanë pësuar deformime rrezikon jetën e konsumatorëve. Institucionet përkatëse duhet të nisin kontrollet dhe të mos lejojnë tregtimin e tyre. Duhet që mostra të këtyre perimeve me deformime gjenetike të dërgohen në laborator dhe të dilet me një konkluzion shkencor për shkakun e deformimit", - pohon Cengu.

Ekspertët e bujqësisë sqarojnë se Bioterrorizmi është një term që i referohet veprimtarisë së fitimprurëse joligjore, nëpërmjet nxitjes apo ndërhyrjes në gjenetikën e kulturave bujqësore. Kjo kryesisht tek perimet e drithërat, por edhe tek pemët frutore. Pas vitit 2000 Shqipëria ka nisur të plotësojë mungesat e theksuara të anës ligjore të kësaj dukurie, pasi pësoi humbje në miliona dollarë nga mashtrimet me importet e fidanëve të hardhisë etj.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›