E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degët e inxhinierive elektrike, monopol i meshkujve

SHKRUAN: Jonida Tashi 17-03-2011 11:40

Shkollat profesionale që kanë të bëjnë me degët e inxhinierive elektrike dhe mekanike vazhdojnë të mbeten monopol i meshkujve. Gjatë viteve të fundit në këto shkolla është ulur ndjeshëm numri i nxënësve vajza, ndryshe me raportin që ka ekzistuar para viteve ’90. Këtë fenomen e dëshmon më së miri fakti se në 600 nxënës të shkollës Teknike-Elektrike në Tiranë, vetëm 15 janë femra. Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Hedie Gjoni, pavarësisht se sistemi parauniversitar, në veçanti i shkollave profesionale, është drejt reformimit, sërish këto degë vazhdojnë të jenë shumë më pak të frekuentuara nga femrat, kjo dhe si pasojë e mentalitetit. “Janë pak profile të rënda, ndoshta djemtë janë më të prirur për gjëra teknike. Megjithatë, dega që kemi hapur këto dy vitet e fundit, që është teknologjia e informacionit dhe komunikimit, ofron mundësi dhe për vajzat. Jo të gjithë nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme duhet të shkojnë në universitete, po duhet të orientohen drejt tregut të punës. Në veçanti për vajza duhet të punojmë më shumë, që të thithim sa më shumë vajza”, - pohon drejtoresha e shkollës Teknike-Elektrike “Gjergj Canco”, Hedie Gjoni. Por me gjithë këtë situatë, drejtoresha e kësaj shkolle shprehet optimiste se ky raport mes meshkujve dhe femrave mund të ndryshojë, edhe si pasojë e strukturës së re të arsimit profesional, ku nga 5 vjet këto shkolla kthehen në katër, duke u mundësuar nxënësve më shpejt punësim në tregun e punës. “Kjo strukturë është shumë fleksibël, shumë e përshtatur me dinamikën e tregut të punës, gjë që do të thotë siguron një dalje në tregun e punës pas çdo niveli”, - thotë Gjoni. Aktualisht, të gjitha shkollat e mesme profesionale po ndeshen me një reformim të ri në strukturën e tyre, duke u mundësuar të gjithë nxënësve që pas dy vitesh në këto shkolla ata edhe mund të punojnë. Sipas mësuesve të vjetër të shkollës Teknike-Elektrike, në vitin 1972 plot 50% e nxënësve të shkollave profesionale kanë qenë vajza, më së shumti në degët e elektronikës dhe telekomunikacionit. Po ashtu, sipas tyre, në institucione të tilla si KESH, apo Albtelekomi, kanë pasur një numër të madh punonjësesh femra, falë arsimimit të tyre profesional pranë këtyre shkollave. Politeknikumi “17 Nëntori” ka qenë shkolla në të cilën përgatiteshin specialistët elektronikë, të ndërlidhjes, elektrikë, mekanikë etj. Aty nuk kanë munguar as degët e drurit, madje edhe ato të metalurgjisë. Më pas ajo u reduktua në degën elektrike që përfshinte elektronikën dhe ndërlidhjen, si dhe në degën mekanike, ku përgatiteshin mekanikë të përgjithshëm dhe ata të transportit. Pas 1983-it, ajo u nda në dy shkolla të tjera. Në shkollën e industrisë mekanike dhe në shkollën e mesme elektrike. Pas shumë lëvizjeve nga njëri vend në tjetrin, në vitin 2002 një nga pasardhëset e Politeknikumit “17 Nëntori” është edhe shkolla Teknike-Elektrike me status kombëtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›