Qeveria fal faturat e papaguara të energjisë para 2008
Faturat e papaguara të energjisë elektrike para vitit 2008 do të falen për disa kategori, të cilat përfshijnë pensionistët, invalidët, gratë kryefamiljare dhe të gjithë personat me status jetim, sipas një deklarate të djeshme të Kryeministrit, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë. Në kohën kur kompania shtetërore OSSH u privatizua nga çekët e Cez, qeveria mori përsipër të zerojë 300 milionë euro që ishin borxhe të këqija të krijuara deri më 2008, me qëllim që të pastronte bilancin e kompanisë në prag shitje. Këto fatura, që datojnë nga krijimi i KESH dhe më vonë kanë kaluar në administrimin e OSSH deri në vitin 2008, do të falen, sipas Kryeministrit, por nuk do të jenë të gjithë përfitues. Ky vendim, ka thënë Kryeministri, do të zbatohet për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe papunësi, të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash, për të gjitha pensionet minimale të të gjitha kategorive, invalidët, gratë kryefamiljare dhe të gjithë personat me status jetim. Duke folur për këtë nismë të qeverisë, Kryeministri u shpreh se ky vendim do të çlirojë nga barra e detyrimeve të prapambetura, të gjitha këto kategori, të cilat për arsye të diferencës së madhe të të ardhurave, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, nuk kanë mundur tu përgjigjen me përpikmëri detyrimeve. Kryeministri shpjegoi se ky vendim përfshin periudhën që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH, e deri në ditën që shpërndarja e energjisë merret nga CEZ. “Unë besoj se kjo përfshin të gjithë spektrin e atyre që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në nevojë. Edhe njëherë dua të theksoj se kjo falje, që bëhet më 22 mars, shtrihet që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH, deri ditën që shpërndarja e energjisë elektrike merret nga CEZ. Që nga momenti i marrjes së energjisë nga CEZ, vendimi i qeverisë është inekzistent. Është një ndërmarrje private, në të cilën ne ftojmë të gjithë qytetarët t’i përgjigjen me korrektesën më të madhe”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, që në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Entin energjetik të kalojnë sa më shpejt vendimin e qeverisë për këtë akt, i cili do të përbëjë një lehtësim për jetën e përditshme të këtyre shtresave. “Të kalojmë sa më shpejtë vendimin e qeverisë për këtë akt, për këto shtresa në nevojë, akt ky i cili përbën një lehtësim në jetën e përditshme, pasi cilido të jetë, i vogël apo i madh, ndaj cilitdo, borxhi i rëndon njeriut si një gur", tha Kryeministri. Në fakt këto borxhe, në shumicën e tyre ishin klasifikuar si të këqija dhe pa shpresë arkëtimi. Ish-kryeministri Fatos Nano, pati marrë një iniciativë gjatë vitit 2003, për të aplikuar njëfarë amnistie fiskale për faturat e papaguara të energjisë për një periudhë kohë. Mirëpo kjo nismë nuk gjeti aplikim praktik, për shkak të efektëve negative që do kishte në të ardhmen, në mospagimin e faturave të energjisë, vjelja e të cilave vijon të mbetet në nivel problematik edhe sot pas privatizimit të kompanisë.
Kryeministri shpjegoi se ky vendim përfshin periudhën që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH, e deri në ditën që shpërndarja e energjisë merret nga CEZ.
Kategoritë që përfitojnë
Familjet në ndihmë ekonomike
Të papunët
Pensionistët me pensione minimale
Invalidët
Gratë kryefamiljare
Jetimët