E Diel, 1 Nëntor 2026

Farmacitë, ISKSH zbulon abuzimet me barnat

SHKRUAN: Jonida Tashi 17-03-2011 11:42

Pjerin Kodraçaj: Një nga problematikat kryesore dhe shqetësuese aktuale është shitja e medikamenteve pa recetën e përshkruar nga mjeku i familjes apo prej specialistëve

Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor zbulon abuzimet me barnat që janë kryer nga farmacitë që kanë kontratë me këtë institucion. Për këtë arsye, ISKSh paralajmëron kontrolle të rrepta dhe të befasishme gjatë muajve në vazhdim. Një nga problematikat kryesore dhe shqetësuese aktuale është shitja e medikamenteve pa recetën e përshkruar nga mjeku i familjes dhe apo prej specialistëve. Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Parësor dhe Farmaceutik në ISKSH, Pjerin Kodraçaj, bën të ditur se janë vendosur masa penalizuese ndaj farmacive në Tiranë, Berat, Durrës, në të cilat janë evidentuar abuzime, me barnat e rimbursueshme, mangësi në dokumentacion, apo dhe tregtim të barnave pa pullë. “Në farmaci nuk është zgjedhur drejtuesi teknik, kanë qenë drejtues teknik me arsimin jopërkatës dhe kemi pasur 11 shkëputje kontratash, jo vetëm për drejtuesit teknik, por dhe për vlerat e lëvizshme me pluse, për mosshërbimin e mirë të pacientëve, mosdhënien e të gjitha medikamenteve që përcakton mjeku në recetë”, - tha Kodraçaj. Gjatë vitit 2010 sektori i kontrollit të farmacive dhe agjencive farmaceutike ka ushtruar kontrolle me inventarizim dhe tematik në 296 subjekte farmaceutike (farmaci/agjenci farmaceutike). Nga këto kontrolle kanë rezultuar: gjoba në vlerën 800 mijë lekë ndaj 66 subjekteve; dëme ekonomike në vlerën 5.8 milionë lekë ndaj 87 subjekteve; zgjidhje kontrate për 11 subjekte farmaceutike. Ndër problematikat specifike që janë evidentuar gjatë vitit 2010 në lidhje me detyrimet kontratuale të farmacive dhe agjencive farmaceutike përmenden: vazhdohet të tregtohen barna me rimbursim pa dokumentacionin përkatës, duke u rimbursuar padrejtësisht për barna pa i patur gjendje në farmaci në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në; mangësi në plotësimin e dokumentacionit sipas detyrimeve kontraktuale; tregtim të barnave pa pullën e kontrollit nga disa farmaci; praninë e librezave të shëndetit të pacientëve në ambientet e farmacisë, duke mos qenë prezent pacienti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›