Dëgjimi, 25 mijë diagnostikime në vit tek të sapolindurit
Fëmijë të paaftë për të dëgjuar e si pasojë vuajtje që mund t’i shoqërojnë gjithë jetën. Në fakt mjafton një diagnostikim që në lindje në mënyrë që mijëra fëmijë të shpëtojnë nga handikapi që vjen si rrjedhojë e mosaftësisë së dëgjimit. Studimet tregojnë se në vendin në 1000 lindje 1 fëmijë është hipoakustikë. Kjo ka shtyrë ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, që të nënshkruajë dje marrëveshje bashkëpunimi me Gianfranco Jacuzzi, koordinator i projektit MAGIS (Lëvizja dhe Veprimi i Jezuitëve Italian për Zhvillim) në Itali për diagnostikimin e të sapolindurve.
Diagnostikimi
Rreth 25 mijë të porsalindur në vit, të cilët do t`u nënshtrohen ekzaminimeve diagnostikuesepër shurdhërinë. Ky është thelbi i bashkëpunimit ku sipas Godos kjo do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve shqiptarë dhe në të ardhmen do ta zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e shëndetit, si dhe do të nxisim shkëmbimet e ndërsjella të eksperiencës së dy vendeve. “Kjo marrëveshje synon të reduktojë handikapin që vjen si rrjedhojë e mosaftësisë së dëgjimit të fëmijëve shqiptarë nëpërmjet diagnostikimit në mënyrë të hershme të shurdhërisë fëminore”,- thekson Godo. Ndërkohë bëhet e ditur se në Shqipëri, në çdo 1 000të lindur 1 është hipoakustikë që do të thotë se vuan nga shurdhësia. Arsyet mund të jenë që nga moskontrolli i plotë i shtatzënisë dhe përdorimi pa kriter i barnave ototoksike në shtatzëni e më tej në moshën fëminore. “Në Shqipëri lindin rreth 45.000 fëmijë në vit, prej të cilëve mbi 9.000 vetëm në Tiranë, ndaj vëmendja mendohet të kushtohet në vendet me numër të madh lindjesh”, u bë e ditur gjatë takimit duke u shtuar se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje MAGIS do të diagnostikojë në mënyrë të hershme shurdhërinë fëminore përmes testimit neonatal pranë strukturave shëndetësore të qyteteve kryesore si Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër. Fëmijëve do t`u vendosen proteza dhe do të fillojnë të ndjekin një program rehabilitues të përshtatshëm.
1 në 1000 të lindur është hipoakustik
45 mijë fëmijë lindin në vit në vendin tonë