E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëgjimi te foshnjat, si u bllokua programi i depistimit

 

zirina llambro

Në vendin tonë, sipas statistikave, lindin me shurdhësi të thellë 3-4 fëmijë për 1000 lindje. Ky rezultat është dyfish më i lartë krahasuar me vendet e zhvilluara, ku ka 1-2 fëmijë me probleme me dëgjimin. Duke iu referuar shkaktarëve që mund të çojnë në dëmtim të pjesshëm ose të plotë të dëgjimit, ky problem mund të parandalohet me masa konkrete. Për të grumbulluar të dhëna të sakta, për herë të parë në vendin tonë nisi programi shqiptar i depistimit neonatal të dëgjimit, rreth 5 vjet më parë. Fillimisht si program pilot në maternitetet e Tiranës e më tej duke u zgjeruar. Gjithçka me pjesëmarrjen e mjekëve të njohur të ORL, Fakultetit të Mjekësisë dhe mbështetjen e ministrisë. Me specializimin e bluzave të bardha u arrit që testet e dëgjimit të ktheheshin në një procedurë normale pune për të porsalindurit. “Pavarësisht nga vështirësitë dhe mangësitë e shumta, brenda një periudhe 4-vjeçare u kryhen mbi 5000 kontrolle, u përgatitën dhe u shpërndanë postera dhe për më tepër u organizuan dy konferenca multidisiplinore me ekspertë të huaj mbi këtë temë”, sqaron koordinatorja e këtij programi Birkena Qiriazi. Ajo nënvizoi së në një kohë kur pak vende të Ballkanit, me standarde më të larta ekonomike se tonat, ky lloj programi ose nuk kryhet ose kryhet në qendra të veçanta, e gjithë kjo punë ishte me të vërtetë një arritje që meritonte më shumë vëmendje dhe kujdes nga ana e autoriteteve përkatëse dhe gjithsesi përbënte një sukses. Por pikërisht këtu nis edhe çudia e radhës. Ajo që në fakt ndodh rëndom tek ne. Programi harrohet. Lançohet një tjetër. Vjen një marrëveshje e re.
Mbyllja e programit
“Me çudi të madhe disa muaj më parë morëm vesh nga mediat se Ministria e Shëndetësisë nënshkroi me një OJQ italiane një projekt që do të fillonte në Shqipëri një program depistimi neonatal të dëgjimit. Ky projekt trevjeçar, do të kryhej në Tiranë dhe në tre rrethe të tjera të Shqipërisë”, sqaron mjekja dhe koordinatorja e programit shqiptar të depistimit. Ajo nënvizon se më tej u bë me dije nga stafi i OJQ-së italiane me të drejtën e dhënë kushedi nga kush, se në maternitete programi shqiptar mbaroi dhe se po fillonte një program tjetër.  “Infermieret që kryenin testin deri në atë kohë nuk duhej ta kryenin më. Të përshkruash habinë e shqetësimin për një program paralel, do të thotë të numërosh mbi 4-5 takime në Ministrinë e Shëndetësisë, përfshirë më vete ministren, telefonata pa fund, premtime që kjo punë do të rregullohej, sepse ishte bërë një gabim pa dashur, por asnjëherë nuk erdhi një përgjigje”, shprehet Birkena Qiriazi. Pyetja e saj dhe e një pjese të stafit të mjekëve të ORL-së ishte dhe është vetëm një: “Programi shqiptar i depistimit neonatal të dëgjimit, u mbyll. Sigurisht që kishte pika të dobëta, por ishte shqiptar dhe po vazhdonte. Pse një strukturë shqiptare e ngritur dhe e mbajtur në këmbë me kaq mund, duhet të prishej dhe të zëvendësohej me një strukturë të përkohshme 3-vjeçare?”. Sipas stafit të mjekëve që kanë qenë pjesë e tij tashmë që programi shqiptar, me sukseset dhe mangësitë e veta u mbyll nuk dihet çfarë do të ndodhë në Shqipëri me depistimin neonatal të dëgjimit, kur fondet në dobi të Shqipërisë të MAGIS do të harxhohen në hapësirën që ndan këtë vend nga Italia dhe pastaj do të mbarojnë. “Ministrat mund të ndërrohen përsëri, e ata që do vijnë mund edhe të firmosin projekte të tjerë të ngjashëm. Po nuk arritëm të kuptojmë asnjëherë kush është fajtori për shkatërrimin e programit shqiptar të depistimit neonatal të dëgjimit”, vërejnë mjekët.

Shkaqet e shurdhërisë

    Lindja premature
    Situata të tilla që gjatë lindjes çojnë në mungesë oksigjeni.
    Kalimi i rubeolës, sifilizit apo sëmundjeve të tjera infektive gjatë shtatzënisë.
    Përdorimi i otoksikëve (një grup prej 130 medikamentesh (gentamicina p.sh) që mund të shkaktojnë dëmtim të brendshëm të veshit nëse nuk përdoren siç duhet gjatë shtatzënisë.
    Hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit te një fëmijë i sapolindur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›