Mjekët lihen jashtë, dyshime për projektin italian
Projekti italian nënkupton që bebeve t’u kryhet një kontroll dhe më pas ato që rezultojnë me ulje dëgjimi do të diagnostikohen me anë të një ABR-je (aparaturë diagnostikuese që do të vendoset në mjediset e maternitetit të ri. “Ky model është i paparë ,pasi kudo në botë kjo punë drejtohet dhe koordinohet nga audiologë ose mjekë ORL. Më tej, fëmijëve do t’u afrohen falas aparate dëgjimi të blera në Itali dhe që do të vendosen nga audioprotezistë italianë. “Për një ekspert të kësaj fushe, i cili e di që stafi që deri tani ka bërë kontrollet në maternitete është aq i përgatitur sa s’ka nevojë të çohet kush në Itali për trajnim, që e di se në Shqipëri ABR-ja është vënë në punë që në 2003, që e di se kompanitë e njohura të aparateve të dëgjimit kanë përfaqësuesit e tyre në Shqipëri dhe ku protezimi akustik bëhet sipas standardeve internacionale, ky projekt do të tingëllonte mjaft i dyshimtë”, shprehet mjekja Birkena Qiriazi. Nga ana tjetër, në këtë program nuk u përfshinë as Klinika e ORL e Qendrës Spitalore Universitare dhe as Fakulteti i Mjekësisë. “Eshtë e qartë se nëse projekti do të bazohej mbi eksperiencën shqiptare, kostoja do të ishte më e ulët, po kështu paratë e dhëna në ndihmë të shqiptarëve do të harxhoheshin në Shqipëri dhe jo për mobilitetin e personelit italian, apo për të paguar udhëtime jashtë të disa të tjerëve, e kështu me radhë”, nënvizojnë të tjerë mjekë specialistë.