Dy aksidente në fundjavë, një vdes, plagosen 7 vetë
LAÇ/ KRUJE – Një person humbi jetën dhe 7 të tjerë u plagosën në dy aksidente të ndodhura mbrëmjen e së shtunës në Krujë e Laç. Shpejtësia dhe mungesa e ndriçimit janë cilësuar si shkaqet e aksidenteve. Sipas policisë, aksidenti me pasojë vdekjen ka ndodhur dje në superstradën Laç–Lezhë. F. Shqalshi humbi jetën, pasi makina e drejtuar nga kunati i saj doli nga rruga. Policia e Kurbinit ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të aksidentit është konstatuar se në afërsi të urës së Milotit, drejtuesi Sandër Shqalshi ka tentuar të frenojë, por rruga ishte e mbuluar me rërë. Nga shpejtësia dhe rrëshqitja e gomave, makina ka dalë nga rruga, duke shkaktuar dhe vdekjen e pasagjeres. Aksidenti sipas policisë ka ndodhur rreth orës 17:30 dhe për zbardhjen e shkaqeve të tij po hetohet ende nga policia, pas ndalimit të shoferit. Ndërsa ngjarja e dytë ka ndodhur rreth orës 22:30, në rrugën Krujë–Halilë. Një familje e tërë rrezikoi jetën, pas përplasjes së dy makinave mes tyre. Policia e Krujës pohoi se ndërsa Muharrem Basha po udhëtonte së bashku me familjen e tij për në fshatin Halil të Krujës është përplasur në afërsi të banesës me një makinë të drejtuar nga Zenun Hajdari. Së bashku me Bashën udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, Dëshira dhe 3 djemtë 15, 10 dhe 5-vjeçar, si dhe babai i shoferit, të cilët mbetën të plagosur. Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës dhe mësohet se gjendja e tyre është kritike, për shkak të plagëve të marra. r.n